Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se Serbia nuk ka nevojë për një konflikt të ngrirë me Kosovën.
Duke paraqitur para Kuvendit të Serbisë raportin për dialogun me Kosovën, Vuçiq tha se serbët në Kosovë duan që negociatat të zhvillohen, në mënyrë që të arrihet ndonjë zgjidhje kompromisi në të ardhmen.
“Kur të më pyesni se çfarë është kompromisi, unë do të them: nuk e di”, tha Vuçiq para ligjvënësve serbë.
Ai vlerësoi se “fuqitë perëndimore nuk do ta ndryshojnë qëndrimin e tyre ndaj Kosovës” dhe se ato “do të pajtohen për një Kosovë të pavarur me çdo kusht”.
“Ne nuk kemi detyrë të lehtë dhe kohë për humor festiv, as kohë për pritje të tepërta, por kohë për t’u përballur me realitetin që na rrethon”, tha Vuçiq.
Vuçiq tha se dialogu me Kosovën është “transparent” dhe se pretendimet se “dikush po fsheh diçka diku dhe po përpiqet të mashtrojë publikun” janë “gënjeshtra”.
“Dialogu është korniza e vetme e mundshme, derisa të arrihet një kompromis me shqiptarët. Ne i kemi informuar në mënyrë të vazhdueshme përfaqësuesit e Bashkimit Evropian se kemi përmbushur gati gjithçka nga Marrëveshja e Brukselit. Të tjerat janë detaje që jemi gati t’i përmbushim. Shqiptarët nuk janë gati për të përmbushur atë, për të cilën është rënë dakord”, tha Vuçiq.
Kamberi: Serbia, të përballet me krimet e luftës
Në seancën ku raportoi Vuçiqi, deputeti shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, tha se dialogu midis Kosovës dhe Serbisë duhet të jetë një proces i “përballjes me të kaluarën”.
Kamberi tha se Serbia duhet të përballet me krimet që kanë kryer forcat ushtarake dhe policore serbe në Kosovë, gjatë luftës së viteve 1998/1999.
“Njerëzit duhet ta dinë se Serbia sot duhet të flasë me ata që u ka vrarë fëmijët, e shumë prej tyre edhe familjet. Ju, president i Serbisë, në anën tjetër të tryezës së bisedimeve ndoshta mund të keni Saranda Bogujevcin [v.j. nënkryetare e Kuvendit të Kosovës], familjen e së cilës e kanë vrarë ‘Shkorpionët’ serbë [v.j. formacion paraushtarak]”, tha Kamberi.
Sipas tij, “në emër të shtetit serb”, në Kosovë janë kryer “krime të rënda lufte”.
Kamberi, i cili përfaqëson pakicën kombëtare shqiptare në Serbi, shprehu bindjen se dialogu midis Kosovës dhe Serbisë mund t’i japë fund “armiqësisë shekullore” midis serbëve dhe shqiptarëve.
“Mendoj se dialogu i Brukselit mbetet shtylla kryesore e normalizimit të marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kosovës”, tha ai.
Kamberi shtoi se statusi i komunitetit shqiptar në Serbi është “i lidhur ngushtë” me statusin e serbëve në Kosovë dhe se Serbia “po punon sistematikisht në margjinalizimin e pakicave në territorin e saj”.
Duke iu përgjigjur deklaratave të Kamberit, Vuçiq tha se shqiptarët “gjithmonë trokasin në derë të hapur” tek ai.
Për krimet në Kosovë, Vuçiq tha se është krenar që “Serbia nuk i fsheh kriminelët me mbiemra serbë”, ndërsa shqiptarët “viktimizohen”.
Ai tha se Serbia nuk dëshiron shtet njëetnik dhe se nuk dëshiron t’i persekutojë shqiptarët, por do që ata “së bashku të ndërtojnë të ardhmen”.
“Serbia nuk do të lodhet kurrë nga Kosova”, tha Vuçiq.
Për takimin e parë me Kurtin
Vuçiq foli para deputetëve serbë edhe për takimin e tij të parë me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, që u zhvillua më 15 qershor në Bruksel.
“Për Kurtin, temë e vetme ka qenë: kur do ta njohim pavarësinë e Kosovës?”, tha Vuçiq. Përgjigjja, sipas tij, ka qenë: “Kurrë”.
“Situata është shumë më e vështirë dhe më serioze si për ne, ashtu edhe për ta… Një zgjidhje kompromisi është diçka që duhet të kërkojmë”, u tha Vuçiq deputetëve të Kuvendit të Serbisë.
Çfarë thuhet në raportin për Kosovën?
Raporti i Vuçiqit për deputetët i referohet rrjedhës së dialogut të Serbisë me Kosovën nga maji i vitit 2019 deri më 15 qershor, 2021.
Duke e prezantuar atë, Vuçiq tha se gjatë viteve 2020 dhe 2021, Serbia u ka dhënë serbëve në Kosovë “më shumë se 750 milionë, e madje edhe 800 milionë euro”, ndërsa numëroi edhe investimet e Serbisë në komunat me shumicë serbe në Kosovë.
Vuçiq përmendi ndërtimin e shkollave, spitaleve dhe banesave, si dhe investimet në kisha dhe manastire të Kishës Ortodokse Serbe.
Ai tha se Serbia nuk ka arritur të ndryshojë trendin e emigrimit të serbëve nga Kosova, të cilët, “në kërkim të një jete më të mirë dhe një sigurie më të madhe”, kalojnë për të jetuar në Serbi.
Raportin e fundit për dialogun me Kosovën, Vuçiq e ka prezantuar në Kuvendin e Serbisë në maj të vitit 2019.
Kjo ka qenë hera e parë që Vuçiq ka paraqitur një raport për Kosovën qëkur Partia e tij Përparimtare Serbe (SNS) ka marrë pushtetin në vitin 2012.
Që nga paraqitja e këtij raporti, në Serbi janë mbajtur zgjedhjet parlamentare në qershor të vitit 2020 dhe përbërja e Parlamentit ka ndryshuar.
Një pjesë e opozitës i ka bojkotuar këto zgjedhje dhe koalicioni qeverisës i udhëhequr nga Partia Përparimtare Serbe e Vuçiqit i ka 243 nga gjithsej 250 ulëset e Parlamentit.
Dialogu midis Kosovës dhe Serbisë ka nisur në vitin 2011 dhe qëllim i tij është arritja e një marrëveshjeje të obligueshme për normalizimin e marrëdhënieve midis dy vendeve.
Dialogu ndërmejtësohet nga Bashkimi Evropian dhe mbështetet nga Shtetet e Bashkuara. (Përgatiti: Valona Tela – Radio Europa e Lirë)