Vuçiq shpall fitoren në zgjedhjet parlamentare të Serbisë

Beograd, 18 dhjetor 2023 – Lista e Partisë Përparimtare Serbe “Aleksandar Vuçiq – Serbia nuk guxon të ndalet”, ka fituar 46.6 për qind të votave në zgjedhjet e 17 dhjetorit, që nënkupton 129 ulëse në Parlament, sipas sondazheve të organizatës joqeveritare, Qendra për Zgjedhje të Lira dhe Demokraci.

Në vendin e dytë është koalicioni opozitar “Serbia kundër dhunës”, me 23 për qind të votave apo 63 ulëse.

Në vendin e tretë është Partia Socialiste e Serbisë, e ish-ministrit të Jashtëm serb, Ivica Daçiq, me 6.9 për qind të votave apo me 19 ulëse.

Daçiq ka shprehur gatishmëri të bashkëpunojë me partinë e Vuçiqit.

Sipas sondazheve, nga listat e komuniteteve, Shaip Kamberi e ka siguruar një ulëse të komunitetit shqiptar, Aleanca e Hungarezëve të Vojvodinës pritet të fitojë gjashtë ulëse, koalicioni i kroatëve të Vojvodinës tri ulëse dhe Partia Ruse një ulëse.

Pragu për hyrje në Parlament është 3 për qind.

(REL)