Vuçiq shpreson që Spanja e Hungaria do ta pengojnë pranimin e Kosovës në NATO

Beograd, 28 prill 2023 – Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se Kosova s’do ta ketë të lehtë të anëtarësohet në NATO, për shkak të, siç ka thënë, rezistencës së fuqishme të Spanjës dhe Hungarisë.

“Ata mund të pranohen në NATO, por s’do ta kenë lehtë sepse ka shtete anëtare që s’e njohin Kosovën. Do të ketë rezistencë shumë të fortë nga Spanja, por edhe nga shtete të tjera që e kanë njohur Kosovën, si vëllezërit e motrat tanë nga Hungaria”, ka thënë Vuçiq para gazetarëve në një vizitë të premten.

I pyetur për pranimin e aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës, Vuçiqi ka thënë se votimi për këtë çështje ishte “turp special”.

“Asgjë si kjo s’ka ndodhur më parë në histori”, ka thënë ai, citon gazeta beogradase “Danas”.

Vuçiqi ka folur edhe për vendimin e Kuvendit të Mitrovicës së Veriut për hapjen për qarkullim të Urës së Ibrit. Ai ka thënë se “kjo lëvizje synon konflikte të reja në mes të Beogradit dhe Prishtinës” dhe e ka akuzuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, se “po përpiqet të provokojë konflikte në veri”.

Vuçiq ka thënë se për këtë i ka njoftuar KFOR-in dhe Bashkimin Evropian, por ka theksuar se Beogradi zyrtar “s’do ta lejojë këtë”.

(r.m.)