Beograd, 29 qershor 2022 – Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka reaguar ashpër ndaj vendimeve të Qeverisë Kosovës për zëvendësimin e targave të automjeteve të serbëve të Kosovës të regjistruara në Serbi me targa të Kosovës dhe për reciprocitet në qarkullimin ndërkufitar të qytetarëve me dokumente personale të lëshuara në Serbi.
Ai ka thënë se vendimi për targat e automjeteve të serbëve të Kosovës ka për qëllim dëbimin e serbëve nga Kosova.
“Ata (shqiptarët) na kanë dhënë afat deri më 31 shtator për targat. Kjo do të thotë se planifikojnë sulm në veri të Kosovës, më së largu deri më 1 tetor”, ka thënë Vuçiq të mërkuren në mbrëmje.
“Ata (shqiptarët) nisën fushatën që serbët t’i regjistrojnë automjetet me targa shqiptare. Në qoftë se i regjistrojnë – shkëlqyeshëm, në qoftë se nuk arrijën t’i bindin, atëherë do t’ua marrin – jo vetëm automjetetet, por edhe targat. Atëherë kush (nga serbët) do të qëndrojë (në Kosovë)? Këtë nuk e dijnë as vetë dhe as që u intereson, sepse presin që serbët ta braktisin Kosovën”, është shprehur ai.
Vuçiq ka theksuar se shqiptarët e Kosovës e kanë mbështetjen e plotë të fuqive perëndimore.
“Këtë që e duan, nuk e duan vetëm shqiptarët e Kosovës, sepse e kanë mbështetjen e plotë, të Britanisë së Madhe dhe Gjermanisë, para së gjithash, por edhe të vendeve tjera të QUINT-it”, ka thënë ai.
Vuçiq ka paralajmëruar ndërprerjen e dialogut me Kosovën.
“Tani është e qartë se nuk do të ketë dialog, nuk do të ketë bisedime për asgjë. Do të ketë vetëm shumë probleme. Ne do të përpiqemi ta ruajmë paqen, kurse të tjerët nuk e duan – as Kosova dhe as mentorët e tyre”, është shprehur Vuçiq.
Ai e ka akuzuar Perëndimin se po e mban anën e shqiptarëve, duke mohuar të drejtën e serbëve. Ndonëse nuk e ka thënë shprehimisht, është kfrejtësisht e qartë se ai alodon te edrejta e serbëve për shkëputje nga Kosova.
“E dini çfarë thonë ata? ‘Për ne Kosova është shtet i pavarur’. E pra, çfarë na duhet pra dialogu, për çfarë të bisedojmë? Përse nuk e ushtroni deri në fund këtë terror? Përse nuk e përfundoni punën? Cili është dallimi midis separatizmit dhe të drejtës për vetëvendosje? Kur shqiptarët kërkojnë diçka, kjo quhet e drejtë për vetëvendosje, kurse kur serbët e bëjnë të njëjtën gjë, kjo quhet separatizëm dhe rrezikim i paqes”, ka thënë ai.
Vuçiq e ka akuzuar faktorin ndërkombëtar se nuk po e pranon kompromisin si zgjidhje për çështjen e Kosovës.
“Ne, t’ju them të drejtën shprehimisht, nuk kemi më ku të shkojmë. Ne përpiqemi qe dhjetë vjet për të gjetur një zgjidhje kompromisi të cilën ata nuk e duan, por e duan vetëm poshtërimin e serbisë. Askush asgjë nuk po na ofron, askush nuk po do as të flasë, vetëm po shikojnë si të na poshtërojnë deri në fund dhe si të na dëbojnë popullin”, ka thënë ai.
Vuçiq ka paralajmëruar Kosovën dhe Perëndimin se Serbia do të kundërpërgjigjet, por nuk do të ndërmarrë asnjë veprim ushtarak.
“Ne nuk do të ndërmarrim asnjë veprim ushtarak apo tjetër, por kërkojmë nga ata që të mos përpiqen ta marrin pronën e popullit tonë dhe t’i dëbojnë njerëzit tanë. Ne u lutemi të fortëve dhe të fuqishmëve që të mos e bëjnë këtë. Kjo është kërkesa jonë më e madhe. Besoj kanë kohë të mjaftueshme që në fund të shtatorit të mendojnë tri herë nëse do ta bëjnë këtë apo jo. Më duket se në këtë moment kanë punë më të mençura. Apo ndoshta edhe nuk kanë…”, është shprehur Vuçiq.
Presidenti i Serbisë ka thënë se thirrjet e tij nuk i drejtohen kryeministrit të Kosovës, por, siç është shprehur, “nxitësve të tij”.
“Kurti ëndërron se është Zelensky (presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelkensky), kurse ndonjëherë se është Hegeli. Mua nuk mëshqetëson ai, por më shqetësojnë ata që po e nxisin. Mesazhi im u drejtohet atyre dhe jo atij. Ai është kalibër i vogël, në çdo kuptim”, është shprehur Vuçiq.
(r.m.)