Beograd, 16 shkurt 2023 – Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se shteti nuk do të lejojë dhunë dhe do të veprojë menjëherë, pasi protestuesit e krahut të djathtë tentuan të hynin në Presidencën serbe.
Pas protestës së djathtistëve pro-rusë në Beograd, Vuçiq mbajti një takim me shërbimet e sigurisë.
“Shteti nuk do të lejojë banditët dhe ekstremistët, me ndihmë nga jashtë, qoftë nga Perëndimi apo Lindja, që të kërcënojnë rendin kushtetues”, tha ai për televizionin Pink.
Vuçiq nuk dha më shumë detaje për këtë temë.
Djathtistët serbë u mblodhën në Beograd më 15 shkurt për të protestuar kundër autoriteteve serbe dhe dialogut me Kosovën, që zhvillohet nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.
Në këtë protestë, të organizuar nga organizata e ekstremit të djathtë, “Patrulla e Popullit”, u panë edhe simbolet e grupit mercenar rus, Wagner. Po ashtu, protestuesit brohoritën mesazhe ofenduese ndaj presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.
Pjesëtarë të xhandarmërisë serbe kanë parandaluar djathtistët që të hynin në ndërtesën e Presidencës serbe.
Paraprakisht, protestuesit kishin larguar disa pjesë të rrethojave të vendosura pranë Presidencës dhe disa hodhën edhe vezë në drejtim të ndërtesës.
Ata u nisën drejt hyrjes kryesore të Presidencës, për siç thanë, dorëzuar kërkesat e tyre te Vuçiqi. Sipas tyre, kërkesa kryesore është ndërprerja e dialogut me Kosovën.
Disa pjesëmarrës në protestë, siç kanë raportuar gazetarët e Radios Evropa e Lirë që kanë përcjellë ngjarjen, kishin simbole të Wagner-it dhe shkronjën Z, që është bërë simbol i pushtimit rus të Ukrainës.
Kreu i “Patrullës së Popullit”, Damjan Knezheviq, gjatë adresimit para protestuesve tha se askush në partinë udhëheqëse në Serbi, Partisë Përparimtare Serbe, “nuk mund ta quajë veten serb”.
Knezheviq iu adresua edhe gazetarëve të mediave të huaja në gjuhën angleze, duke thënë se pjesëmarrësit në këtë ngjarje “preferojnë propozimin rus” për Kosovën dhe jo atë evropian, apo siç njihet edhe si propozimi franko-gjerman, që ka të bëjë me normalizimin e raporteve midis Kosovës dhe Serbisë.
Protestuesit kanë brohoritur “Serbia, Rusia”. Organizatorët e protestës kanë kërkuar nga autoritetet serbe që të tërhiqen nga negociatat me Kosovën, shtet që ka shpallur pavarësinë 15 vjet më parë.
Disa orë para protestës, Ministria e Punëve të Brendshme të Serbisë tha se ka arrestuar dy persona – të cilëve u janë gjetur armë – që ishin nisur për të marrë pjesë në ngjarjen në Beograd.
Në deklaratën për media u tha se gjatë arrestimit, atyre u është gjetur një armë dhe municion.
“Patrulla e Popullit”, përmes kanalit të saj në Telegram, konfirmoi se dy anëtarë të kësaj organizate janë arrestuar.
“Patrulla e Popullit” është organizatë që njihet për veprime kundër migrantëve dhe për organizimin e ngjarjeve në Beograd në mbështetje të Rusisë, pasi Kremlini nisi pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt 2022.
Në nëntor të vitit 2022, lideri i kësaj organizate, Damjan Knezheviq, vizitoi Qendrën Wagner në Rusi.
Organizata që udhëheq Knezheviq ka bërë edhe një mural në Beograd në nderim të Wagner-it.
Serbia, edhe pse është kandidate për anëtarësim në BE, refuzon të vendosë sanksione ndaj Rusisë dhe ka raporte të mira dypalëshe me Moskën.
(REL)