Beograd, 19 qershor 2024 – Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, është takuar sot në Beograd me përfaqësuesin special të BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak.
Vuçiq, në një postim në Instagram, ka bërë të ditur se gjatë bisedës me Lajçakun, të cilën e ka cilësuar si “të hapur dhe të drejtë”, ka insistuar edhe një herë për “formimin urgjent” të Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, të cilin ai e quan “Bashkësi të komunave serbe”.
“Ritheksova se kthimi në dialog konstruktiv ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës dhe normalizimi i marrëdhënieve, para së gjithash, qëndron në zbatimin e Marrëveshjes së Brukselit, gjegjësisht në formimin urgjent të Asociacionit të komunave serbe”, ka shkruar ai.
Vuçiq e ka cilësuar Serbinë si “partner serioz dhe të përgjegjshëm” të BE-së dhe si “mbrojtëse të pakompromis” të serbëve në Kosovë.
“BE si ndërmjetës kryesor në këtë proces, e ka pasur dhe e ka Serbinë si partnere serioze dhe të përgjegjshme, ndërsa për popullin tonë në Kosovë e Metohi do të mbetemi mbështetëse të pakompromis dhe mbrojtëse e vatrave dhe e të ardhmes së tyre”, ka shkruar ai.
Vuçiq e ka akuzuar autoritetet e Kosovës se po ushtrojnë presion ndaj serbëve në Kosovë.
(r.m.)