Vuçiq takohet me përfaqësuesit e serbëve nga Kosova

Beograd, 22 mars 2022 – Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, është takuar më 22 mars me përfaqësuesit politikë të serbëve të Kosovës. Takimi pasoi njoftimin e BE-së se autoritetet në Kosovë e kanë refuzuar kërkesën e Quint-it për mbajtjen e zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare të Serbisë të 3 prillit.

Sipas raportimeve, Vuçiq dhe përfaqësues të serbëve nga Kosova pritet t’u drejtohen mediave pas takimit.

Takimit i parapriu një seancë e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, ku morën pjesë kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiq, ministrat e Mbrojtjes dhe të Brendshëm, Nebojsha Stefanoviq dhe Aleksandar Vulin, ish-kryeparlamentari Ivica Daçiq, si dhe zyrtarë të tjerë dhe përfaqësues të strukturave të sigurisë.

Temat e takimeve nuk janë bërë të ditura zyrtarisht.

Fotot nga takimi i ka postuar Vuçiq në Instagram, me një përshkrim se ka diskutuar për “ngjarjet aktuale” me përfaqësuesit politikë serbë.

Në takim kanë marrë pjesë drejtori i Agjencisë për Siguri dhe Informacion të Serbisë, Bratislav Gashiq, drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, si dhe përfaqësues të Listës Serbe, parti politike e serbëve nga Kosova e mbështetur nga Partia Progresive Serbe e Vuçiqit.

Në takim po ashtu ka marrë pjesë edhe nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radoiçiq, i cili është nën sanksione nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për shkak të akuzave për përfshirje në rrjetin ndërkombëtar të krimit të organizuar.

Për Radoiçiqin në Kosovë është lëshuar fletarrest për shkak të akuzave për frikësim të dëshmitarëve në rastin e korrupsionit në qendrën e skijimit “Brezovica”.

Zëdhënësi i BE-së për çështje të Politikës së Jashtme dhe Sigurisë, Peter Stano, ka thënë të martën, më 22 mars, në konferencën për shtyp të Komisionit Evropian, se Bashkimi Evropian shpreh keqardhje për atë që ai e ka quajtur “vendim të Kosovës për të refuzuar propozimin e QUINT-it”, për votimin e serbëve në territorin e Kosovës për zgjedhjet në Serbi.

Qeveria e Kosovës për momentin nuk ka ndonjë konfirmim zyrtar se propozimi i vendeve të Quint-it, për mbajtjen e zgjedhjeve serbe në Kosovë, është refuzuar.

Detajet e propozimit, po ashtu, ende janë bërë të ditura .

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë të hënën pas takimin me ambasadorët dhe shefat e misioneve diplomatike dhe konsullore të Kosovës, se për mbajtje të zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale të Serbisë në Kosovë, duhet të ketë një marrëveshje ndërmjet Republikës së Kosovës dhe asaj të Serbisë.

Zgjedhjet e fundit parlamentare, që Serbia i ka organizuar edhe për komunitetin serb në Kosovë, kanë qenë ato të 21 qershorit 2020.

Ato zgjedhje janë mbajtur sipas një praktike të mëhershme, ku misioni në Kosovë i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë i ka grumbulluar votat. Ato vota më pas janë numëruar në Rashkë dhe Vranjë, dy qytete kufitare të Serbisë.

Kjo praktikë është krijuar qysh në vitin 2017 dhe autoritetet e Kosovës e kanë lejuar këtë gjë.

Nga OSBE-ja kanë thënë për Radion Evropa e Lirë se janë të gatshëm t’i grumbullojnë votat edhe për zgjedhjet e 3 prillit, por me pëlqimin e të gjitha institucioneve përkatëse.

(REL)