Vuçiq thotë se ndaj Radoiçiqit do të ngrihet aktakuzë, pasi të përfundojnë hetimet

Beograd, 11 tetor 2023 – Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se autoritetet serbe do të ngrenë aktakuzë ndaj Millan Radoiçiqit, pasi të përfundojnë hetimet që janë duke u zhvilluar kundër tij. Ai tha se ish-nënkryetari i Listës Serbe po ndiqet nga prokuroria “për krime serioze”.

“Prokuroria po e ndjek atë për krime serioze, të cilat ai vetë i ka pranuar. Hetimi do të vazhdojë dhe më pas do të ngrihet aktakuzë. Kjo do të tregojë se prej nga kanë ardhur paratë dhe armët e paligjshme. Zbulimi i kësaj është obligimi ynë ndërkombëtar dhe kjo do të bëhet”, tha Vuçiq më 11 tetor, gjatë një vizite në një institut mjekësor në Beograd.

Sipas tij, autoritetet ushtarake dhe civile po i hetojnë rrethanat e ngjarjes në Banjskë, në pjesën veriore të Kosovës, dhe se “publiku do të informohet për rezultatet e hetimit”.

Milan Radoiçiq e mori përgjegjësinë për organizimin e sulmit në Banjskë dhe  dha dorëheqje nga pozita e nënkryetarit të Listës Serbe, partisë kryesore të serbëve në Kosovë që kontrollohet nga Beogradi zyrtar.

Vuçiqi konfirmoi se më 21 tetor do të arrijnë në Serbi përfaqësuesit e shteteve të QUINT-it. Ai tha se “pesëshja” pritet të arrijë në Beograd me një “pako” përmbajtjen e së cilës ai nuk e di.

“Çdo ditë përballemi me presione të atyre që do të donin ta shkatërronin Serbinë nga jashtë. Mendoj se ‘pesëshja’ që do të vijë nuk e dëshiron këtë, por dëshiron që në një mënyrë tjetër të gjejnë zgjidhje për krizën në Kosovë. Të shohim se çfarë do të sjellin në pakon e tyre”, është shprehur ai.

Vuçiq ka thënë se Serbia “po përpiqet të dalë nga kjo situatë jo e lehtë për të me sa më pak dëme”.

“Nuk do të jenë ditë të lehta. Çështjet janë tmerrësisht të vështira, por besoj në aftësinë tonë”, është shprehur ai.

Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës kërkojnë nga Beogradi që të hetojë në mënyrë të plotë çështjen e organizimit, armatosjes dhe stërvitjes së grupit që e kreu sulmin terrorist në Banjskë.

Kosova e akuzon Serbinë për planifikimin, organizimin dhe mbështetjen e sulmit në Banjskë, por Beogradi mohon se ka gisht në të akt agresioni.

(r.m.)