Beograd, 8 gusht 2023 – Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se Ukraina “do të humbë brenda ditës gjithçka që ka në dorë”, nëse e njeh pavarësinë e Kosovës.
Sipas tij, Ukraina do ta humbte plotësisht besueshmërinë e vet politike.
“Pas kësaj, si do të mund të thoshte Ukraina se i përmbahet ligjit ndërkombëtar? Jam i bindur se [presidenti i Ukrainës Volodymyr] Zelensky nuk do ta hedhë këtë atu”, ka thënë Vuçiq, të martën, citon Radio Evropa e Lirë.
Ai ka thënë se Ukraina është një shtet mik i Serbisë, dhe se në marrëdhëniet mes dy vendeve nuk ka telashe.
Vuçiq i ka bërë këto komente gjatë një konference të përbashkët për media me kryeministren Ana Bërnabiq, në Beograd, ku iu përgjigjën pyetjeve rreth letrës së kryetarëve të komiteteve për politika të jashtme dhe deputetëve të disa vendeve të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara, të cilët kërkuan masa më të rrepta ndaj Serbisë.
“Unë jam krenar që Alicia Kearns dhe Bob Menendez më sulmojnë mua, por jam krenar edhe kur e shoh se emrat që ishin më parë nuk janë më aty”, ka thënë ai.
Vuçiq ka thënë se letra e deputetëve evropianë dhe amerikanë, siç është shprehur, “nuk është kundër meje, por kundër Serbisë”.
Ambasadori i Ukrainës në Serbi, Volodymyr Tolkach, ka thënë të martën se në shoqërinë ukrainase po shtohen gjithnjë e më shumë zërat për njohjen e pavarësisë së Kosovës dhe se një numër i deputetëve të Parlamentit të Ukrainës po e përkrahin qëndrimin për njohjen e Kosovës.
Toklach ka thënë se rritja e përkrahjes së idesë për njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Ukraina nuk është befasi. Ai ka thënë se Kosova ka mbajtur qëndrim të qartë ndaj agresionit rus ndaj Ukrainës, “duke e dënuar agresionin dhe duke e sanksionuar agresorin”.
(r.m.)