Beograd, 11 mars 2023 – Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar të shtunën se Serbia nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës “as de facto e as de jure”.
“Nuk do të jem unë ai që do ta nënshkruajë pavarësinë e Kosovës… Nuk ka dorëzim. Ne nuk do ta njohim pavarësinë e Kosovës, as de fakto as de jure. Por, ne duam paqe me shqiptarët, duam marrëdhënie të mira”, ka thënë Vuçiq, citojnë mediat serbe.
Por, Vuçiq ka pranuar se ndryshimet e situatës gjeopolitike, të shkaktuara nga agresioni i Rusisë ndaj Ukrainës, e kanë vënë Serbinë në pozitë të vështirë. Ai është ankuar se në Serbi, siç ka thënë, “ka nga ata që bëjnë sikur nuk shohin” këtë, duke aluduar në opozitën e tij.
“Situata gjeopolitike në botë ka ndryshuar në mënyrë më drastike se sa pas rënies së Murit të Berlinit. Vetëm disa prej nesh bëjnë sikur nuk e shohin se sa e vështirë është pozita e Serbisë… Është një dozë e padurueshme lehtësie me të cilën do ta shkatërronin vendin për një javë. Ata nuk dinë as çfarë do të thotë shtet”, është shprehur Vuçiq.
Ai ka thënë se në këtë situatë duhet të merren “vendime shumë më të vështira”.
“Detyrimi ynë i parë është ta mbrojmë Serbinë, i dyti është të mbrojmë interesat kombëtare dhe i treti është ta ruajmë paqen dhe stabilitetin”, ka theksuar ai.
Presidenti i Serbisë i ka thënë këto në një miting në një sallë sportesh në qytetin e Vranjës, në jug të Serbisë. Në ekranin prapa foltores ishte ishte vendosur harta e Serbisë me Kosovën brenda saj, me slloganin “Serbia ëndërron dhe ëndrrat i realizon”.
(r.m.)