Beograd, 27 dhjetor 2022 – Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka vizituar të martën në mbrëmje disa njësi të Ushtrisë së Serbisë “diku midis Kralevës dhe Rashkës”, prej nga është nisur për një takim me përfaqësues të serbëve të Kosovës.
Në një postim në Instagram, Vuçiq i ka quajtur “heronj” pjesëtarët e ushtrisë serbe, ndërsa Serbinë e cilësuar si “liridashëse”
“Përfundova vizitën e një pjese të njësive të ushtrisë sonë, heronjve tanë, dhe u nisa të takohem me përfaqësues të serbëve të Kosovës. Unë besoj në drejtësi dhe ligj, por më shumë se në gjithçka besoj në urtësinë, por edhe forcën dhe vendosmërinë serbe. Rroftë Serbia liridashëse”, ka shkruar Vuçiq.
https://www.instagram.com/p/Cmr2VJqr4F_/?utm_source=ig_embed&ig_rid=fda5194e-c5cc-4705-88ea-47715bbdfce5
Komuna e Rashkës, ku janë dërguar forca shtesë të ushtrisë e të policisë së Serbisë, shtrihet në zonën kufitare me Kosovën.
Më herët gjatë ditës, Vuçiq tha se është “duke biseduar me të gjithë” dhe “duke bërë gjithçka për të ruajtur paqen dhe stabilitetin”, për gjetjen e “një zgjidhjeje kompromisi”.
Por, ai i refuzoi thirrjet për heqjen e barrikadave në pjesën veriore të Kosovës.
“Kë e shqetësojnë barrikadat në veri të Kosovës, derisa nëpër ato rrugë nuk kalon askush përveç serbëve, të cilët i përkrahin barrikadat si formë proteste dhe luftojnë për të drejtat dhe për jetët e tyre”, u shpreh ai, pas takimit që zhvilloi me kreun e Kishës Ortodokse Serbe, Patriarkun Porfirije.
Vuçiq i akuzoi “shqiptarët në Prishtinë” dhe “një pjesë të faktorit ndërkombëtar” se, përmes heqjes së barrikadave, synojnë t’i dëbojnë serbët nga veriu i Kosovës.
“Përse dikush insiston në mënyrë histerike në heqjen e barrikadave, sepse është e nevojshme që serbët të dëbohen nga veriu i Kosovës, sepse vetëm kështu e shohin zgjidhjen e problemit, si shqiptarët në Prishtinë ashtu edhe një pjesë e komunitetit ndërkombëtar”, tha Vuçiq.
Të hënën Vuçiq ka urdhëruar ngritjen në shkallën më të lartë të gatishmërisë lustarake të forcave të armatosura dhe njësive policore.
(r.m.)