Beograd, 12 korrik 2023 – Presidenti serb Aleksandar Vuçiq, tha të mërkurën se Serbia do të hetojë akuzat e Shteteve të Bashkuara ndaj shefit të Agjencisë së saj të zbulimit, Aleksandar Vulin, një ditë pasi ai u fut në listën e zezë të Departamentit amerikan të Thesarit.
Departamenti i Thesarit tha se zyrtari pro-rus Aleksandar Vulin e ka ndihmuar Moskën në veprimtaritë e saj “keqdashëse” në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe se ai kishte lidhje me një tregtar armësh dhe me një rrjet të trafikut të drogës.
“Është shumë e rëndësishme të kryhet një hetim”, u tha presidenti Vuçiq gazetarëve, citon Zëri i Amerikës.
megjithatë, Vuçiq theksoi se Vulin u sanksionua nga Departamenti amerikan i Thesarit për shkak të qëndrimit të tij ndaj Rusisë dhe jo për ndonjë krim apo për korrupsion.
“Aleksandar Vulin nuk u sanksionua për ndonjë krim apo korrupsion apo çfarëdo tjetër, por për shkak të qëndrimit të tij në lidhje me Federatën Ruse”, tha Vuçiq.
Aleksandar Vulin, kryetar i Lëvizjes Socialiste, i cili ka qenë ministër i Mbrojtjes dhe ministër i Brendshëm në dy qeveritë e fundit, është zyrtari i parë i lartë serb që sanksionohet nga Shtetet e Bashkuara që kur Aleksandar Vuçiqi e mban postin e presidentit, me 2017.
Partia e Vulinit, Lëvizja Socialiste, i akuzoi Shtetet e Bashkuara për “gënjeshtra” dhe për “shtrembërim të së vërtetës”.
Aleksandar Vulin, i cili ishte mbështetës i madh i politikave të ish presidentit të Serbisë, Slobodan Millosheviq, në vitet e 90-ta, njihet si mbështetës i madh edhe i presidentit të Rusisë, Vladimir Putin. Ai ka udhëtuar shpesh në Moskë. Herën e fundit, ai ishte në Moskë në muajin maj, ku mori pjesë në një konferencë sigurie dhe u takua me shefat e agjencive ruse të zbulimit.
Në muajin janar, ai u akuzua nga kundërshtarët e agresionit të Rusisë ndaj Ukrainës për përfshirje në rekrutimin e vullnetarëve serbë në grupin e mercenarëve rusë “Wagner” për luftime në Ukrainë.
Në vitin 2022, opozitari rus Vladimir Kara-Murza ka thënë se bisedat e tij me pjesëtarë të opozitës ruse në Beograd janë përgjuar dhe se Vulin ia kishte dorëzuar përgjimet Moskës.
Serbia e ka dënuar agresionin e Rusisë në Ukrainë, por ka refuzuar t’u bashkohet sanksioneve ndërkombëtare kundër Moskës.
Serbia është vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, por ajo duhet të çrrënjosë korrupsionin e shfrenuar dhe krimin e organizuar dhe të harmonizojë politikat e saj të jashtme me ato të Bashkimit Evropian.
Organizatat ndërkombëtare kanë gjetur probleme serioze në fushën e sundimit të ligjit, në sistemin e drejtësisë dhe në lirinë e medies në Serbi.
(r.m.)