Beograd, 2 shtator 2022 – Presidenti i Serbisë, Aleksandart Vuçiq, e ka kujtuar takimin e tij të parë me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, ku kishte zënë fill nisma rajonale “Ballkani i Hapur. Ai e ka krahasuar atë takim me takimin e Josip Broz Titos me Enver Hoxhën, 70 vjet më parë.
“Kur e kujtoj takimin tonë të parë, 70 vjet prej se Tito dhe Enver Hoxha ishin takuar për herë të fundit, takimi im me Ramën ishte i mbushur me energji të jashtëzakonshme politike dhe diplomatike”, ka thënë Vuçiq të premten në Beograd, në takimin e liderëve të nismës “Ballkani i Hapur”.
Vuçiq ka thënë se marrëdhëniet mes Beogradit, Shkupit dhe Tiranës janë në momentin e tyre më të mirë historik. Ai ka thënë se vendet e “Ballkanit të Hapur” janë shumë të lidhura midis tyre, gjë që e tregojnë takimet e shpeshta.
“Ne jemi kaq shumë të lidhur dhe kaq kemi kaq shumë nevojë të ndërsjellë për njëri-tjetrin. Kjo shihet nga kontaktet btona të shpeshta”, ka thënë ai.
“Marrëdhëniet mes tri vendeve të Ballkanit Perëndimor (Serbisë, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut) janë në maksimumin e tyre historik”, ka theksuar ai.
Vuçiq ka shfaqur shpresën se vendet anëtare të “Ballkanit të Hapur” do të kenë bashkëpunim më të madh me vendet tjera të Ballkanit Perëndimor.
“Pavarësisht faktit se disa vende nuk janë ende pjesë e Ballkanit të Hapur, shpresoj që ne do të zhvillojmë bashkëpunimin më të suksesshëm të mundshëm”, ka thënë Vuçiq.
Ai ka thënë se vendet e Ballkanit të Hapur do të hiqen nga ndalesa e eksporteve të produkteve të caktuara nga Serbia dhe anasjelltas.
“Gjithçka që është në dispozicion të Serbisë, do të jetë në dispozicion të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë, si dhe anasjelltas”, ka thënë Vuçiq.
“U bëj thirrje të gjithë aktorëve politikë, si në Qeveri ashtu edhe në opozitë, që të njohin rëndësinë e këtij projekti. Është shumë e rëndësishme për ne që të krijojmë një grup punues për parandalimin e krizave, pasi që e dimë se një vjeshtë dhe dimër i vështirë po afrohen”, ka shtuar ai.
Vuçiq ka thënë se nga Bashkimi Evropian vendet e “Ballkanit të Hapur” do të kërkojnë ndihmë për blerjen e energjisë gjatë stinës së dimrit.
(r.m.)