Beograd, 24 mars 2022 – Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiqi, ka përcjellë sot (e enjte) pasdite një kërcënim për shtetin e Kosovës.
Në një video-mesazh “urgjent”, të postuar në llogarinë e tij në Instagram, ai e ka akuzuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, se “ka vendosur ta sulmojë popullin serb” në Kosovë dhe ka paralajmëruar se Serbia “do të jetë me popullin e saj”.
Vuçiqi ka marrë shkas suspendimin e kryetares së Gjykatës Themelore të Mitrovicës, Liljana Stevanoviq, e cila ka marrë pjesë në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Serbisë, në Beograd, të mërkurën.
Vuçiq ka thënë se të premten pritet të suspendohen edhe komandtët e Policisë së Kosovës që kanë marrë pjesë në atë mbledhje.
“Me urdhër të Albin Kurtit, sot nga institucionet kosovare është shkarkuar gjykatësja Liljana Stevanoviq. Për mëngjes (e premte) është përgatitur shkarkimi i të gjithë komandantëve të policisë, të cilët ishin në takimin e Këshillit të Sigurisë Nacionale në Beograd”, ka thënë Vuçi, në videomesazhin e tij.
Presidenti i Serbisë e ka akuzuar Kurtin se me vendimet e tij “po e rrënon paqen” në Kosovë dhe ”dëshiron të sulmojë serbët” në Kosovë. Ndërkaq, vendet e QUINT-it (Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britaninë e Madhe, Gjermaninë, Francsën dhe Italinë) dhe gjithë bashkësinë ndërkombëtare I paralajmëron se Serbia “do të jetë me popullin e saj”.
“Albin Kurti e ka shkelur Marrëveshjen e Brukselit dhe me dëshirë të tij dhe të atyre që e mbrojnë Marrëveshja e Brukselit nuk ekzksiton më. Albin Kurti është ai që dëshiron të rrënojë paqen në Kosovë. Është ai që me këto vendime dëshiron të sulmojë popullin serb kudo që jeton – edhe në veri e edhe në jug të Kosovës. Serbia dëshiron ta ruajë paqen dhe për gjithë këtë paralajmërojmë vendet e QUINT-it dhe gjithë bashkësinë ndërkombëtare. Mesazhi im i fundit është: çfarëdo që të bëjnë, Serbia do të jetë me popullin e saj”, ka thënë Vuçiq.
Të mërkurën, më 22 mars, Vuçiq ftoi në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Serbisë përfaqësues të serbëve të Kosovë, për të diskutuar lidhur me reagimin e tyre ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës që të mos lejojë mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare e presidenciale të Serbisë në territorin e Kosovës. Në këtë mbledhje morën pjesë edhe disa zyrtarë të institucioneve shtetërore të Kosovës, përfshirë edhe zyrtarë të lartë të Policisë së Kosovës.
Sipas Vuçiqit, përfaqësuesit e serbëve të Kosovës kanë propozuar që serbët t’i braktisin institucionet shtetërore të Kosovës, por ai (Vuçiqi) u ka “sugjeruar” që një vendim lidhur me reagimin e serbëve të Kosovës të merret pas zgjedhjeve parlamentare e presidenciale të Serbisë.
(r.m.)