Taktizimet e Vuçiqit për të qenë dhe me Rusinë edhe me BE-në ende nuk po merren seriozisht nga qarqet perëndimore në Bruksel dhe në Washington. Se sa është i afërt Presidenti Serb, Aleksandar Vuçiq, me Moskën dëshmoi edhe telefonata e tij e fundit me Vladimir Putinin, kur ky i fundit i premtoi të përkëdhelurit të tij në Beograd se Rusia do të vazhdojë ta furnizojë me gaz Serbinë edhe tri vjet.
Duhet të jenë në pyetje interesa thellësisht strategjike të të dyja vendeve partnere sa që nuk ka nevojë as për takim, pasi që marrëveshjet e rëndësishme Moskë-Beograd mund të arrihen edhe me telefon.
Asnjë lider nga Ballkani nuk mund të arrijë marrëveshje të tillë me politikanë të rëndësishëm të BE-së. Kjo flet edhe për qasjen asimetrike në mes të Brukselit dhe Moskës ndaj Ballkanit, sepse BE-ja, në vend se të prijë me procese, merret me amortizimin e pasojave që shkaktohen nga taktizimet e Vuçiqit. Në vend se të ndërtojë një qëndrim ndaj Beogradit për mosvendosjen e sanksioneve Rusisë, Brukseli i dëgjon me indifentizëm deklaratat kërcënuese e destabilizuese të Vuçiqit drejtuar Kosovës.
Paqen sociale dhe politike brenda në Serbi Vuçiqi po e arrin përmes gazit rus dhe përmes Kosovës. Deklarata e tij se do t’i bëjë të gjitha përpjekjet për ruajtjen e sovranitetit në gjithë territorin e Republikës së Serbisë, përfshirë Kosovën si pjesë përbërëse të saj, ndodh në kohën kur Vuçiqi po e thellon bashkëpunimin me Kremlinin dhe nuk po pranon t’u bashkohet sanksioneve kundër Rusisë.
Perëndimi tashmë i ka kaluar vijat e kuqe të tolerances me Vuçiqin. Fatura e këtij tolerimi sigurisht që do ta ketë koston e vet dhe në Bruksel ka plot burokratë që këtë kalkulim e lidhin me taktikat e joshjes së Vuçiqit për të mos e lëshuar në prehërin e Moskës, por ajo çka po ndodh në terren është në kundërshtim me frymën e sigurisë rajonale që e promovojnë NATO dhe SHBA-të. Toleranca e Brukselit po e prish këtë frymë, ndërkohë që Vuçiqi po e shfrytëzon me mjeshtri mungesën e koordinimit Prendimor sa u përket qëndrimeve ndaj Beogradit.
Forcimi i partneritetit në mes Rusisë dhe Serbisë, që u theksua edhe gjatë telefonatës Putin-Vuçiq, po ndodh në kohën kur Brukseli nuk ka një qasje të qartë ndaj çështjeve të mprehta mbi Ballkanin Perëndimor, përfshirë edhe Kosovën.
Gazi dhe armët ruse e kineze që po depërtojnë në Serbi po shndërrohen në mjete të forta goditëse, por Brukseli parapëlqen t’i shohë ato me syza fëmijësh, prandaj ato i duken si lodra. Kjo sjellje e Bukselit dhe e Washingtonit ndaj çështjeve kaq të ndieshme që e cenojnë sigurinë rajonale, duke e trajtuar Vuçiqin si një fëmijë të lazdruar dhe duke ia lënë në duar të gjitha lodrat që atij i pëlqejnë, mund ta shndërrojnë sërish Ballkanin në një vatër krize me pasoja katastrofale edhe për qëndrueshmërinë e paqes evropiane. Ndoshta dikur do ta vërejnë, por do të jetë vonë për ta kuptuar se të tolerosh politkanët në Ballkan që në fillim duken si fëmijë lazdranë, i bie të shkurtosh ardhmërinë e fëmijëve të tjerë që duan të jenë evropianë .
Në fakt, udhëheqja aktuale e BE-së po e ndjell vet të keqen, duke toleruar politikën destabilizuese të Beogradit. Ka kohë që në Bruksel instalohen burokratë që kanë njohuri zero mbi historinë, sidomos mbi shkaqet e shpërthimit të luftërave ballkanike e botërore, sepse në të kundërtën ata do të dinin t’i deshifronin hijet e së kaluarës të cilat ka rrezik të bëhen sërish pengesë e së ardhmes. Nuk është e thënë që patjetër të ndodhë ndonjë atentat për të shërthyer ndonjë luftë e përgjkakshme, pasi ata që organizonin dje atentate sot i kanë ndryshuar taktikat e veprimit dhe nuk është shumë vështirë të kuptohet se cilat janë pasojat e këtyre veprimeve. Mjafton të analizohet prapavija e telefonatës Putin –Vuçiq për ta kuptuar se deri ku mund t’i zgjerojë krahët fantazma ruse në Ballkan.