Vuçiqi në KS, e akuzoi Qeverinë e Kosovës për “persekutim” të serbëve

Nju Jork, 8 shkurt 2024 – Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në fjalimin e tij në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, i akuzoi institucionet e Kosovës për “sulme sistematike” dhe për “persekutim” të serbëve që jetojnë në Kosovë, të cilën ai e quajti “provincë jugore” të Serbisë.

Ai tha se situata në Kosovë po bëhet e vështirë për serbët, pas vendimit të Bankës Qendrore të Kosovës për ndalimin e përdorimit të dinarit serb në operacionet me para të gatshme.

“I ashtuquajturi lidership ka vazhduar sulmet ndaj popullatës serbe dhe ka kulmuar pasi që mbijetesa i tyre në provincën tonë jugore varet nga buxheti i Serbisë”, tha Vuçiq.

“Ky është sulm ndaj popullatës serbe dhe e bën situatën në Kosovë të vështirë. Prishtina po i pamundëson veprimet e të gjitha institucioneve shëndetësore, kulturore e arsimore që ofrojnë kushtet bazike. Çdo parandalim i financimit të spitaleve, shkollave e çerdheve të Serbisë është sulm i drejtpërdrejt ndaj serbëve dhe ndaj themelimit të Asociacionit (të komunave mer shumicë serbe në Kosovë)”, u shpreh ai.

“Me ndalimin e transaksioneve me dinarë regjimi i Prishtinës e pamundëson edhe sigurimin e artikujve elementarë për jetë, blerjen e barnave dhe shërimin e serbëve në Kosovë”, shtoi ai.

Vuçiq tha se nuk ka asnjë bazë argumenti i autoriteteve të Kosovës se ndalimi i përdorimit të dinarit serb është masë për vendosjen e ligjshmërisë në Kosovë.

“Liderët shqiptarë e përdorin sundimin e ligjit vetëm sa për ta dëmtuar serbët dhe Kishën Ortodokse Serbe”, theksoi ai.

Vuçiq tha se në Kosovë janë kryer 470 sulme “të motivuara etnikisht ndaj serbëve dhe ndaj Kishës serbe, prejse në krye të Qeverisë së Kosovës ka ardhur Albin Kurti.

Ai është në ballë të persekutimit të serbëve”, theksoi Vuçiqi.

“Në një situatë të tillë, pa një reagim të duhur, mund të shkaktohet një dëm i pariparueshëm për mbijetesën e popullit serb në Kosovë”, tha President ii Serbisë.

(r.m.)