Beograd / Zagreb, 17 korrik 2022 – Serbia shtërngoi masat e kontrollit për zyrtarët kroatë, si kundërpërgjigje ndaj vendimit të autooriteteve kroate që të mos e lejojnë vizitën e Presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, në Kroaci.
Ministri i Punëve të Brendshme të Serbisë, Aleksandar Vulin, deklaroi se prej sot, më 17 korrik, të gjithë zyrtarët kroatë do të vendosen nën një regjim të veçantë kontrolli.
“Nga sot, të gjithë zyrtarët e shtetit kroat, të gjithë poseduesit e pasaportave zyrtare apo diplomatike, do të duhet të njoftojnë dhe ta arsyetojnë vizitën e tyre në Serbi apo kalimin e tyre nëpër Serbi dhe do të vendosen nën një regjim të veçantë kontrolli”, tha Vulin.
Kjo deklaratë erdhi pak pasi kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, njoftoi se presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, dëshironte ta vizitonte sot privatisht Jasenovcin, por kjo vizitë nuk u lejua nga autoritetet kroate. Ajo tha se ky është “skandali më i madh në historinë moderne të Serbisë dhe Kroacisë”.
“Unë nuk e kam të qartë nëse atij (Vuçiqit) i ndalohet ta vizitojë Kroacinë apo vetëm Jasenovcin, kështu që ai mund të shkojë kudo, por jo në Jasenovc. Ky, për mendimin tim, është një precedent i jashtëzakonshëm”, tha Bërnabiq.
Vuçiq ka dashur të shkojë në Jasenovc, pa i njoftuar zyrtarisht autoritetet kroate dhe pa koordinim me ambasadën e Serbisë në Zagreb,
Ministri i Jashtëm i Kroacisë, Gordan Gërliq Radman, tha se autoritetet kroate kishin kuptuar përmes kanaleve jozyrtare se Vuçiqi po planifikonte të vizitonte Jasenovacin dhe Pakracin. Ai tha se një vizitë e tillë është e papranueshme dhe për këtë është njoftuar Beogradi.
“Ua rikujtuam se me rastin e çdo vizite të zyrtarëve të huaj, koha, vendi dhe plani i vizitës duhet të dakordohen paraprakisht mes dy palëve. Kroacia nuk ishte e informuar për këtë. Kjo është e papranueshme për Kroacinë”, tha ai.
Radman e cilësoi këtë si provokim për Kroacinë.
“Ne e konsiderojmë këtë provokim. Qëllimi i Vuçiqit është të fitojë poena shtesë në Serbi”, tha ministri kroat.
Në Jasenovc ka qenë një prej dhjetë kampeve më të mëdha të përqendrimit në Evropë gjatë Luftës së Dytë Botërorë. Ai ishte krijuar dhe menaxhuar nga ustashët, të cilët kanë qenë bashkëpunëtorë të nazistëve.
Në këtë kamp kanë vdekur qindra komunistë dhe kundërshtarë të tjerë të nazizmit, përfshirë serbë, kroatë, hebrej e të tjerë. Serbia, sot e kësaj dire, vazhdon ta konsiderojë si kamp të ngritur nga ustashët kroatë për serbët. Në histori0grafinë serbe dominon teza se serbët kanë qenë viktimë e projekteve për pastrimin etnik të Kroacisë .
(Sipas REL)