Vulin: Anëtarësimi i Kosovës në NATO do të përbënte kërcënim për Serbinë

Beograd, 4 mars 2022 – Ministri i Brendshëm serb, Aleksandar Vulin, ka thënë se anëtarësimi i Kosovës në NATO do të përbënte kërcënim të hapur për Serbinë.

“Futja me forcë e Kosovës në paktin e NATO-s nuk është vetëm shkelje e procedurave të anëtarësimit në NATO dhe shkelje e Rezolutës 1244, por edhe një kërcënim i hapur ndaj Serbisë dhe një formë tjetër e presionit ndaj presidentit serb Aleksandar Vuçiq. Vendet që mbrojnë anëtarësimin e Prishtinës në NATO e dinë këtë”, ka thënë Vulin të premten, citon gazeta beograde “Danas”.

Ai ka thënë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, “nuk do të nguronte t’i sulmonte serbët në Kosovë e Metohi, veçanërisht në veri, dhe të provokonte konflikte dhe provokime në mënyrë që shteti i Serbisë të detyrohet ta mbrojë popullin e tij”.

Megjithatë ai ka thënë se nuk beson se Kosova do të pranohet  në NATO. Ai ka thënë se Kosova nuk është shtet, nuk ka ushtri dhe përbën problem politik për së paku katër shtete anëtare të NATO-s.

Vulin ka thënë gjithashtu se Kosova “nuk do të ketë kapacitete ushtarake domethënëse për një periudhë të gjatë”.

Aleksandar Vulin është njëri ndër besnikët më të mëdhenj të Presidentit serb, Aleksandar Vuçiq. Ai është njëri ndër eksponentët më të zëshëm të politikës hegjemoniste serbe. Vitin e kaluar ai e kishte landsuar  në publik projektin “bota serbe” që synon bashkimin me Serbinë të të gjitha viseve të banuara me shumicë serbe në Ballkan.

(r.m.)