Vulin: Në rrethin e Vuçiqit ka spiunë të CIA-s

Beograd, 27 mars 2024 – Ish-drejtori i Shërbimit Sekret të Serbisë, Aleksandar Vulin, ka thënë se Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, po përballet me presione dhe shantazhe të shumta nga Perëndimi, për shkak të politikës së tij të pavarur.

Vulin, në një intervistë për mediumin rus “RIA Novosti”, ka thënë se Vuçiqi po përballet me presionin e Perëndimit për shkak të qëndrimit të tij ndaj Rusisë, Kosovës dhe Republikës Serbe në Bosnjë e Hercegovinë.

Vulin e ka akuzuar Perëndimin se do të ndërmarrë veprime që i rrezikojnë interesat vitale të popullit serb, kudo që ai jeton.

“Ata do të përpiqen ta miratojnë një rezolutë që e shpall Serbinë shtet gjenocidal dhe serbët popull gjenocidal. Po ju them se do të përpiqen ta arrestojnë Milorad Dodikun, do të përpiqen të ndalojnë transaksionet e pagesave në Republikën Srpska, do të përpiqen t’i arrestojnë njerëzit sepse nuk i respektojnë vendimet e Schmidtit”, ka thënë Vulin, transmeton gazeta serbe “Politika.

“Serbia u përball me sanksione sepse e bleu një sistem anti-dron rus që lufton kundër armëve me të cilat shqiptarët u furnizuan nga Perëndimi. Po jua them gënjeshtrën e tmerrshme që kanë përhapur se Vuçiqi ka lidhje me Banjskën. Po jua them se e ashtuquajtura Kosovë do të pranohet në Këshillin e Evropës kundër çdo rregulli”, ka shtuar ai.

“Po shkilen interesat më vitale të Republikës Srpska, të cilën duan ta shkatërrojnë, si edhe të Serbisë, të cilën duan ta degradojnë në nivelin e një shteti që nuk është i pavarur”, ka thënë Vulin.

Ai ka thënë se në rrethin e bashkëpunëtorëve të Aleksandar Vuçiqit ka edhe njerëz që punojnë për Agjencinë Qendrore të Inteligjencës dhe kundër Vuçiqit e kundër Serbisë.

“Po ju them se rreth presidentit ka njerëz që nuk punojnë për këtë vend, por për shërbime të huaja. Në rrethin e presidentit Vuçiq ka njerëz që punojnë për CIA-n dhe ai e di këtë. Ai do të vendosë nëse ndonjëherë do ta themi të vërtetën e plotë. Në rrethin e presidentit Vuçiq ka njerëz që nuk punojnë për të mirën e këtij vendi dhe që punojnë kundër Serbisë dhe presidentit Vuçiq”, ka thënë Vulin.

Megjithatë, ai ka shprehur bindjen se Vuçiqi nuk do të dorëzohet përballë presioneve të Perëndimit dhe se ai “do të ketë forcë dhe guxim të luftojë” për mbrojtjen e interesave jetike të Serbisë dhe të serbëve.

Ndërkaq, popullit serb, kudo që ai jeton, i ka bërë thirrje që “të jetë i bashkuar dhe t’i qëndrojë pranë” Vuçiqit.

Një deklarartë me të njëjtën përmbajtje e ka bërë të martën edhe Vuçiqi. Në një postim në Instagram, ai ka thënë se Serbinë “e presin ditë të vështira” dhe se pret veprime që përbëjnë kërcënim për “interesat nacionale” të Serbisë dhe të Republikës Srpska, në Bosnjë e Hercegovinë.

 “Serbinë e presin ditë të vështira. Në këtë moment nuk është e lehtë të thuhet se çfarë lajmesh kemi marrë dhe do të marrim në 48 orët e fundit. Ato kërcënojnë drejtpërdrejt interesat jetike kombëtare, si të Serbisë ashtu edhe të Republikës Srpska”, ka shkruar Vuçiq.

“Do të jetë e vështirë, më së vështiri deri më tani”, ka shkruar Vuçiq, por ka theksuar se Serbia “do të luftojë” dhe “do të fitojë”.

“Ne do të luftojmë. Serbia do të fitojë”, ka theksuar Vuçiq.

(r.m.)