Beograd, 18 korrik 2021 – Ministri i Punëve të Brendshme të Serbisë, Aleksandar Vulin, partneri më i afërt i Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e ka shprehur hapur aspiratën e politikës zyrtare të Serbisë – Serbinë e Madhe.
Vulin ka thënë se “botën serbe” e sheh si një “hapësirë të vetme politike dhe shtetërore”. Por, ai ka qenë mjaft i kujdesshëm kur ka folur për mjetet për realizimin ekëtij objektivi. Ka thënë se kjo duhet realizuar “në mënyrë paqesore, pa shkrepur asnjë plumb”.
Vulin ka thënë se nuke di se sa do të zgjasë bashkimi i të gjithë serbëve në një shtet, por ka shtuar se parakusht për këtë është uniteti politik i të gjithë serbëve dhe që serbët, kudo qofshin ata, të respektojnë vendimet e Beogradit.
Sipas tij, Partia Përparimtare Serbe, në pushtet në Serbi, është forca e vetme politike që e ka “autoritetin e pakontestueshëm politik” për të gjithë serbët, kudo që ata jetojnë.
“Serbët kanë jetuar bashkë nën Perandorinë Otomane, në Perandorinë e Austro-hungarisë, disa vite në kohën e Rajhut të Tretë. Të gjithë bashkë. Mendoj se (serbët) duhet të jetojnë në kufijtë e tyre”, ka thënë ministri i Punëve të Brendshme të Serbisë, për televizionin proqeveritar “Happy”.
(r.m.)