Tel Aviv, 17 tetor 2023 – Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq po ushtron trysni ndaj Hamasit për të siguruar qasje tek të paktën 199 pengjet izraelite të rrëmbyera nga militantët më shumë se një javë më parë. Korrespondentja e Zëri të Amerikës në Tel Aviv, Linda Gradstein, njofton se qindra izraelitë kanë formuar një “dhomë lufte” në përpjekjet e dëshpëruara për të gjetur pengjet.
Fotot e disa prej 199 ose më shumë civilëve të rrëmbyer dhe të dërguar në Gaza varen në murin e selisë së Ministrisë së Mbrojtjes të Izraelit. Një kujtesë zemërthyese për familjet dhe miqtë.
Mes të rrëmbyerve ka fëmijë të vegjël dhe njerëz të moshuar. Familjet e pengjeve janë bashkuar për të ushtruar trysni ndaj qeverisë për të sjellë të afërmit e tyre në shtëpi. Einav Moshe Barda është mbesa e një izraeliteje të rrëmbyer.
“Ata rrëmbyen tezen time të sëmurë, Adina Moshe, 70 vjeçe. E nxorën nga dritarja dhe disa orë më vonë mësuam çfarë ndodhi me të. Në një video ajo shihet mes dy terroristëve. Terroristë e vranë burrin e saj dhe e dërguan atë në Rripin e Gazës”, thotë ajo.
Familjet e të rrëmbyerve thonë se prej më shumë se një jave asnjë përfaqësues i qeverisë nuk është takuar me ta.
Por qytetarët izraelitë formuan atë që e quajnë “Dhoma e Luftës për të Zhdukurit” në Qendrën e Ekspozitave në Tel Aviv. Qindra vullnetarë bëjnë kërkime në internet për ndonjë provë mbi fatin e pengjeve.
Deri në fillimin e luftës, shumë nga këta vullnetarë ishin anëtarë të një grupi të quajtur “Vëllezër Armësh”, një nga organizatat që mbështetën protestat nëntë mujore kundër ndryshimeve të planifikuara të qeverisë në sistemin juridik. Grupi tani e ka përqendruar vëmendjen tek gjetja e pengjeve.
“Izraelitë nga fusha të ndryshme të jetës, teknologjia, zbulimi dhe rrjetet sociale, janë mbledhur këtu për të gjetur sa më shumë të dhëna për këtë që po ndodh”, thotë Karine Nahon, e cila drejton dhomën e improvizuar të operacioneve.
Profesorja e Universitetit Reichman thotë se të dhënat që kanë mbledhur e bëjnë atë të besojë se më shumë se 100 nga pengjet janë ende gjallë. Të dhënat e mbledhura nga grupi vullnetar u dërgohen autoriteteve izraelite. Zëri i Amerikës bisedoi me vullnetarin Omer Bialer.
“Në mediat sociale kemi gjetur shumë të dhëna për të rrëmbyerit. Në disa raste e kuptojmë se disa i kanë vrarë. Ne mbledhim të dhëna dhe i shkëmbejmë ato. Në disa raste gjejmë se disa nga të zhdukurit janë ende gjallë dhe komunikojnë në internet se si mbijetuan dhe çfarë po bëjnë. Gjithashtu vazhdojmë kërkimet e mëtejshme për rastet kur nuk ka shumë të dhëna”, tha ai.
Zoti Bialer thotë se ndjehet krenar nga reagimi i popullit izraelit, të cilët kanë dhuruar ushqime për ushtrinë dhe kanë ndihmuar dhjetëra mijëra izraelitë të zhvendosur nga shtëpitë e tyre pranë Gazës. Ata kanë ofruar ndihmë psikologjike për të traumatizuarit, thotë vullnetari Omer Bialer:
“Kur sheh njerëz që mblidhen dhe bëjnë gjithçka që duhet bërë në këtë moment, për të qenë të fortë dhe për të fituar mbi këtë situatë, për mua ky është burimi im më i madh për të qenë optimist”.
Izraeli është i gatshëm për ndërhyrje tokësore në Gaza ndërsa shumë izraelitë thonë se kthimi i pengjeve është përparësia e tyre.
(Zëri i Amerikës)