Vullnetarë nga Serbia – pjesë e batalionit rus “Sudoplatov” që lufton në Ukrainë

“Sava” dhe “Danubi”, përveçse lumenj që rrjedhin nëpër Serbi, janë edhe emra të koduar të dy luftëtarëve serbë, që pretendojnë se u janë bashkuar forcave ruse në Ukrainë.

Duke i përcjellë raportimet për ta, Radio Evropa e Lirë ka zbuluar disa detaje për njësinë, ku dyshohet se bëjnë pjesë.

Kjo njësi vepron në Ukrainë me emrin Batalioni Sudoplatov.

Pjesëmarrja në luftërat e huaja dënohet me ligj në Serbi. Deri më tani, më shumë se 30 persona janë dënuar për pjesëmarrje në luftën në Ukrainë nga viti 2014 e këndej.

Se sa është numri i saktë i shtetasve serbë që u janë bashkuar forcave ruse në Ukrainë, nuk dihet.

Beogradi zyrtar ka njoftuar këtë muaj se do ta pengojë pjesëmarrjen e qytetarëve të tij në konfliktin në Ukrainë, dhe se të gjithë “vullnetarët” që i bashkohen atij, do të sanksionohen.

“Sava” dhe “Danubi”, siç pretendohet në video-postimet në Telegram, u kanë shkuar në ndihmë “vëllezërve” të tyre.

Identiteti i dy luftëtarëve është i fshehur, pasi në të gjitha postimet ata shfaqen me maska në fytyrë.

“Danubi” ka pasur edhe disa paraqitje në mediat ruse, ku ka folur me maskë në kokë.

Batalioni Sudoplatov

Batalioni Sudoplatov është themeluar në shtator të vitit 2022 si një njësi vullnetare pro-ruse, e cila vepron në jug të Ukrainës, përkatësisht në territorin e Zaporizhjas, i cili aktualisht është nën pushtimin rus.

Emri i batalionit vjen nga Pavlo Sudoplatovi, ish-anëtar i shërbimeve inteligjente të Bashkimit Sovjetik – gjatë sundimit të Joseph Stalinit – i cili, në fund të viteve 1930, ka marrë pjesë në likuidimet e nacionalistëve ukrainas.

Sipas mediave ruse, njësia është themeluar me iniciativën e Yevgeny Balitskyt, kreut të rajonit Zaporizhja. Balitsky, me vite, ka qenë anëtar i Partisë pro-ruse të Rajoneve, e cila mbron të drejtat e pakicës ruse në Ukrainë. Në shtator të vitit 2022, ai i është bashkuar Rusisë së Bashkuar – partisë së presidentit rus, Vladimir Putin.

Batalioni Sudoplatov, në një postim në kanalin e tij në Telegram më 5 dhjetor, 2022, ka thënë se luftëtarët e tij po bëjnë “stërvitje të përshpejtuara taktike” dhe se ata po mësojnë, mes tjerash, “marrjen e vendimeve luftarake” dhe “sulmet frontale kundër armikut”.

Në kanalin e Telegramit janë listuar dokumentet që duhet t’i dorëzojnë ata që duan të aplikojnë për t’u bërë pjesë e kësaj njësie. Mes tjerash figurojnë: pasaporta e Federatës Ruse ose – nëse disponohet – pasaporta e Ukrainës, karta ushtarake, historia e punësimit dhe certifikata shëndetësore.

Aty nuk thuhet se cila është procedura për vullnetarët jashtë Rusisë.

Radio Evropa e Lirë ka kontaktuar Batalionin Sudoplatov përmes Telegramit dhe e ka pyetur se sa qytetarë të Serbisë kanë aplikuar për t’iu bashkuar atij dhe cila ka qenë procedura për ta, por, deri në publikimin e këtij teksti, nuk ka marrë përgjigje.

Kanali i Telegramit i Batalionit Sudoplatov ndiqet nga pak më shumë se 2.300 persona. Kanali publikon rregullisht fotografi nga trajnimi i vullnetarëve, si dhe raporte mediatike për atë njësi.

Më 3 shkurt, në atë rrjet social, njësia ka ofruar 12 milionë rubla – apo rreth 150.000 euro – “për çdo tank të kapur”, i cili u është dërguar forcave të Ukrainës nga vendet perëndimore.

Në fund të dhjetorit, njësia ka njoftuar se Rusia i ka dhuruar gjashtë dronë, një top anti-dron, tre telefona satelitorë dhe shtatë automjete të markës Niva.

“Tani do të jetë më e lehtë për luftëtarët tanë që të ruajnë rendin në rajon”, është thënë në atë njoftim.

Informacioni për këtë donacion, megjithatë, nuk mund të gjendet në faqen e internetit të Ministrisë ruse të Mbrojtjes.

“Rusofilët” nga Serbia

Pretendimi se dy vullnetarë nga Serbia kanë mbërritur në Batalionin Sudoplatov, është publikuar në kanalin e grupit në Telegram më 13 janar.

Në atë publikim është thënë se “dy serbë me emrat e koduar ‘Danubi’ dhe ‘Sava’ i janë bashkuar batalionit në fillim të vitit 2023”.

Po sipas njoftimit, të dy ata janë “patriotë dhe rusofilë serbë”, të cilët kanë arritur në lindje të Ukrainës, pavarësisht se legjislacioni serb e ndalon pjesëmarrjen e qytetarëve të tij në fushat e huaja të betejës.

Radio Evropa e Lirë nuk ka mundur ta konfirmojë identitetin e tyre apo pretendimet se janë shtetas të Serbisë, por në postimet e tyre ata flasin në gjuhën serbe.

Që kur batalioni i ka prezantuar para publikut në kanalin në Telegram, ata kanë dhënë disa intervista për portalet ruse dhe për disa nga Serbia.

Në të gjitha ato paraqitje, ata flasin serbisht.

Në një intervistë për kanalin rus, Solovlev, e cila është publikuar në rrjetet sociale më 29 janar, “Danubi” ka thënë se familja e tij “reagon normalisht dhe mbështet shkuarjen e tij në frontin ukrainas”.

“Nuk shqetësohen”, ka thënë ai, pa dhënë detaje për jetën në Serbi.

Në një intervistë të publikuar më 24 janar në kanalin e një grupi djathtist në YouTube, “Danubi” i ka vlerësuar stërvitjet që vullnetarët bëjnë në batalion.

“Këtu kam mësuar më shumë brenda një dite sesa gjatë gjashtë muajve shërbim ushtarak në Serbi, dhe kam qenë në policinë ushtarake”, ka thënë ai.

Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë nuk i është përgjigjur pyetjes së Radios Evropa e Lirë nëse është në dijeni për largimin e dy shtetasve të dyshuar serbë në Batalionin Sudoplatov.

Roli i ultra-djathtistëve rusë

Në postimin e parë të batalionit në Telegram, ku janë përmendur dy luftëtarët “Sava” dhe “Danubi”, është përmendur edhe një emër tjetër.

Bëhet fjalë për Andrey Rodionovin, ultra-djathtist rus dhe themelues i lëvizjes ndërkombëtare “Bashkimi dhe Rilindja Ruso-Sllave – RUSOV”.

Siç ka raportuar më herët Radio Evropa e Lirë, Rodionov ka qenë në Serbi në disa raste dhe mban kontakte me grupe të caktuara të ekstremit të djathtë në këtë vend.

Ndonjë informacion për marrëdhënie të mëhershme midis Rodionovit dhe Sudoplatovit nuk ka.

Në postimet në Telegarm, Rodionov i përkthen deklaratat e luftëtarëve “Sava” dhe “Danub”.

Kush është RUSOV-i?

Sipas qendrës informative dhe analitike “Sova” nga Moska, e cila merret me monitorimin e grupeve ultra të djathta në Rusi, RUSOV është “një organizatë e vogël neo-pagane pan-sllaviste”, e cila ka disa degë në të gjithë Rusinë – më aktivet në Moskë dhe Sevastopol”.

Në faqen e organizatës së drejtuar nga Rodionovi, thuhet se RUSOV, përveç në Rusi, ka hapur degë në të gjitha vendet sllave.

Sipas manifestit të publikuar aty, qëllimet kryesore të kësaj lëvizjeje janë “ringjallja e Rusisë së Madhe” dhe krijimi i një “shteti federal sllav, i kryesuar nga Rusia e Madhe”.

Sipas të dhënave nga Regjistri i Personave Juridikë të Federatës Ruse, RUSOV është themeluar në prill të vitit 2012.

Lëvizja mbështet pushtimin rus të Ukrainës që nga fillimi i tij.

“Sa mirë që gati e gjithë ish-Ukraina është në zjarr. Është e rëndësishme të mos ndalemi. Lavdi Rusisë”, ka shkruar lideri i RUSOV-it, Andrey Rodionov, në tetor të vitit 2022 në profilin e tij në Facebook.

Rodionov në Ballkan

Në vitet e fundit, Rodionov ka qenë disa herë në Serbi, si dhe në vendet përreth. Ai është shpesh mysafir i portaleve dhe podkasteve të së djathtës serbe, ndërsa në nëntor të vitit 2020 ka folur për radion shtetërore serbe, Beograd 2.

Duke folur aty për aktivitetet e lëvizjes që drejton, ai ka thënë se RUSOV është një “organizatë mbipartiake”, që vepron në nivel global dhe është e pranishme në të gjitha vendet sllave.

“Lëvizjes sonë po i bashkohen jo vetëm organizatat dhe lëvizjet e tjera, por edhe partitë. Po përhapim idenë tonë dhe po shohim rezultate të mira çdo ditë”, ka thënë Rodionov.

Në të njëjtën intervistë, ai ka thënë se pret rezultatet më të mira nga bashkëpunimi me Serbinë, “sepse serbët dhe rusët nuk janë vetëm vëllezër, por janë një komb”.

“Shpresoj që së shpejti, ashtu si Bjellorusia që po hyn në aleancë me Rusinë, edhe Serbia të hyjë në aleancë me Bjellorusinë dhe Rusinë dhe të krijojmë një shtet federal”, ka thënë Rodionov.

Në një intervistë për kanalin djathtist nga Serbia “Srbin.info”, në fund të janarit të këtij viti, ai ka thënë se Rusia “po i ndihmon vullnetarët serbë që të stërviten mirë” dhe më pas “së bashku duhet ta çlirojmë Kosovën dhe Metohinë”.

Kosova ka shpallur pavarësinë në vitin 2008, por Beogradi zyrtar ende refuzon ta njohë si shtet. Në këtë qëndrim, Serbia mbështetet nga Rusia, e cila e bllokon anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare.

Përveç në Serbi, lideri i lëvizjes RUSOV ka qenë në vitet e kaluara mysafir edhe në Maqedoninë e Veriut dhe në Bullgari.

Lidhjet me ultra-djathtistët nga Serbia

Në nëntor të vitit 2021, Rodionov, së bashku me Damjan Knezheviqin, lider i grupit joformal ultra-djathtist serb “Patrulla Popullore”, kanë shënuar në Beograd 100-vjetorin e eksodit të monarkistëve rusë nga Rusia, pas Revolucionit të Tetorit.

Damjan Knezheviq dhe redaktori i portalit djathtist “Srbin.info”, Dejan Petar Zllatanoviq, janë arrestuar më 16 shkurt të këtij viti, pasi, në një protestë në Beograd, u kanë bërë thirrje qytetarëve të Republikës së Serbisë që t’i rrëzojnë dhe largojnë me dhunë autoritetet më të larta shtetërore.

Të dy ata janë në paraburgim për një muaj.

Knezheviq ka vizituar Moskën në maj të vitit 2021, ku është takuar me Rodionovin. Në shoqërinë e liderit të “Patrullës Popullore” ka qenë edhe Zllatanoviq.

Flamujt e RUSOV-it kanë valuar gjithashtu në protestat në mbështetje të pushtimit rus të Ukrainës, të cilat janë organizuar disa herë nga grupe të ekstremit të djathtë në Beograd.

Në tetor të vitit 2020, Rodionov është takuar edhe me gjeneralin e Ushtrisë së dikurshme Jugosllave, Bozhidar Delliq, themelues i organizatës joqeveritare “Dashuria, besimi, shpresa”.

(Dushan Komarçeviq, REL)