Tiranë, 2 tetor 2022 – Në Shqipëri mbërriti grupi i parë i vullnetarëve të Korpusit të Paqes. Ata po kthehen, pas evakuimit më 2020 për shkak të Covid-19 dhe do të punojnë si mësues të gjuhës angleze, dhe si ndihmës pranë bashkive, shoqatave dhe komuniteteve qytetare në projekte të ndryshme zhvillimi.
Në Shqipëri ata erdhën në vitin 1992, pas rrëzimit të diktaturës komuniste, dhe kanë një histori 30 vjeçare të vullnetarizmit në arsimin dhe komunitetet shqiptare.
“Gjuha shqipe është shumë e vështirë, por është shumë e bukur”, thotë Karli, i cili ka vetëm një javë në Shqipëri, por ai ka mësuar fjalët dhe fjalitë e para në gjuhën shqipe.
Ai është pjesëtar i grupit të parë të vullnetarëve të Korpusit të Paqes, që po kthehen në Shqipëri, dy vjet pasi u tërhoqën nga gjithë bota për shkak të pandemisë se Covid 19.
“Kam për të thënë mbresa të mrekullueshme për Shqipërinë. Më të rëndësishëm janë njerëzit, ata janë shumë të ngrohtë e mikpritës. Një e vërtetë e madhe është mikpritja e shqiptarëve, gjë që provohet menjëherë sapo mbërrin këtu”, thotë Karli.
Edhe Keiti është një tjetër vullnetare e Korpusit të Paqes. Ajo ka pak ditë që ka mbërritur në Shqipëri, ku është kënaqur me klimën mesdhetare dhe vendasit e sjellshëm.
“Unë do të merrem me organizime zhvilluese, pranë pushtetit vendor nëpër bashki, organizata jo qeveritare si dhe me projekte në komunitet, që duan vëmendje”, thotë Keti.
Ajo shton se vendi është shumë i bukur me detin, klimën dhe mbi të gjitha me njerëzit dashamirës. Teksa intervistonim Keitin, sapo mbërriti edhe familja e saj mikpritëse. Laureta ësht ëmësuese e gjuhës dhe letërsisë shqipe dhe thotë se do ta mbajë Keitin në shtëpi si vajzën e vet.
“Do ta mbaj Keitin si vajzën time. Do të mësojmë shumë nga njëri tjetri mbi kulturën, traditat dhe padyshim se do t’i plotësojmë të gjithë kushtet e jetesës, që tën djehen në Shqipëri njëlloj si në shtëpinë e tyre”, thotë ajo.
Vullnetarët e Korpusit të Paqes u takuan sot të gjithë me nga një familje mikpritëse shqiptare, që sot erdhën të takoheshin në nj ceremoni të përbashkët. Një pjesë e tyre janë mësues anglishteje nëpër shkollat publike vendase dhe një pjesë tjetër do të ndihmojnë pushtetin vendor, komunitetet e banorëve dhe organizatat joqeveritare në shërbime dhe projekte zhvillimi gjatë dy vjetëve në vazhdim.
“Jam e lumtur që vullnetarët janë ulur së bashku me familjet mikpritëse të tyre. Ky është vetëm fillimi i një rrugëtimi të gjatë dhe sfidues në Shqipëri”, thotë Megan Uilson, drejtuese e Korpusit të Paqes për Shqipërinë dhe Malin e Zi.
Nga viti 1992 më shumë se 900 vullnetar ë amerikanë kanë punuar për dy vjet më anëtarët e komunitetit dhe drejtues vendor për të adresuar së bashku sfidat e zhvillimit të vendit.
Ambasadorja amerikane në Shqipëri, Yuri Kim, tha se vullnetarët amerikanë dhe mikpritësit e tyre shqiptarë do të nisin një rrugëtim emocionues, ku do të ndryshojnë njëri tjetrin, falë projekteve zhvilluese, që do të jenë realizuar ndërkohë.
“Jam e lumtur që vullnetarët e Korpusit të Paqes janë sërish në Shqipëri. Ata do të shohin shpejt mikpritjen shqiptare”, thotë zonja Kim.
Korpusi i Paqes është një agjenci e Shteteve të Bashkuara e themeluar në vitin 1961 për paqe dhe miqësi në botë, dhe vullnetarët e tij punojnë në arsim, shëndetësi, bujqësi, zhvillim ekonomik dhe rinor në 142 vende të botës.
Në Shqipëri ata erdhën në vitin 1992, pas rrëzimit të diktaturës komuniste, dhe kanë një histori 30 vjeçare të vullnetarizmit në arsimin dhe komunitetet shqiptare.
Ata po kthehen sot pasi, që nga marsi 2020 të gjithë vullnetarët e Korpusit të Paqes u evakuuan nga Shqipëria dhe gjithë bota për shkak të Pandemisë së Covid 19.
(Ilirian Agolli, Zëri i Amerikës)