Uashington, 4 dhjetor 2023 – Çdo vit, mijëra njerëz nga të gjithë Shtetet e Bashkuara ofrojnë punë vullnetare për të zbukuruar Shtëpinë e Bardhë gjatë sezonit të festës së Krishtlindjes. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Dora Mekouar, nga ky grup aplikantësh, zgjidhen vetëm 300 persona për të marrë pjesë në këtë përvojë të veçantë të sezonit të festave të fundvitit.
Shtëpia e Bardhë është tepër magjike gjatë festave dhe kjo falë qindra vullnetarëve që zbukurojnë rezidencën presidenciale. Mijëra amerikanë aplikojnë, por vetëm 300 prej marrin ftesën për të bërë këtë punë të veçantë.
“Një pjesë e vullnetarëve zgjidhen për talentin e tyre dhe disa të tjerë për esetë që kanë shkruajtur. Jo të gjithë janë stilistë. Disa prej tyre janë bashkëshortë të ushtarakëve e disa amvisa. Këtë vit më duket sikur kishim shumë punonjës të arsimit”, thotë Carlos Elizondo, Sekretar i Shtëpisë së Bardhë për aktivitetet shoqërore.
Zonja e Parë Jill Biden zgjodhi temën e këtij viti – magjia, gëzimi dhe mrekullia e festave siç përjetohet nga fëmijët. Edhe vullnetarët përjetojnë pak magji dhe mrekulli.
“Gjatë ecjes në lëndinën përpara Shtëpisë së Bardhë përjetova një ndjenjë të veçantë dhe një mirënjohje për këtë mundësi”, thotë vullnetari nga Nju Jorku, Andrew Boza.
“Si shtetase amerikane dhe si emigrante, gjithmonë kur shikoj Shtëpinë e Bardhë them ‘Oh zot, sa i mrekullueshëm është ky vend.’ Ardhja në këtë vend është shumë e veçantë për mua”, thotë Marite Espinoza Sanchez, vullnetare nga Teksasi.
Por menjëhërë pas kënaqësisë që përjetojnë nga prania në Shtëpinë e Bardhë, vullnetarët fillojnë të punojnë për ta stolisur atë që në javën e Ditës së Falënderimeve.
“Disa ditë i kalojmë në një vend tjetër për të përgatitur materialet që përdoren për stolisjen e Shtëpisë së Bardhë. Tani dekori më duket se është shumë i bukur dhe i rregulluar mirë, por ajo që më pëlqen është se gjithçka filloi me një copë letre, ngjitës, gërshërë dhe fjongo”, thotë Charlotte Smith, vullnetare nga Konektikati.
“Të gjithë do ta shikojnë Shtëpinë e Bardhë dhe do të thonë se gjithçka duket kaq e përkryer. Por, për të arritur këtë janë përfshirë shumë detaje në punën për dekorimin e saj”, thotë Marite Espinoza Sanchez, vullnetare nga Teksasi.
“Njerëzit kishin punë të ndryshme, disa prej tyre u morën vetëm me stolisjen e pemës së krishtlindjes, të tjerët me lëvizjen e objekteve të rënda dhe stolive të tjera”, thotë Dennis Setteducati, vullnetar nga Nju Jorku.
“Ajo që është me të vërtetë e veçantë është energjia e njerëzve, ditët e punës janë shumë të gjata. Por të gjithë janë të gëzuar dhe në frymën e festës së Krishtlindjes”, thotë vullnetari Andrew Boza.
Vullnetarët thonë se do të kujtojnë ndjenjën e miqësisë dhe arritjes që ndjenë gjatë punës për stolisjen e Shtëpisë së Bardhë për festat e fundvitit.
“Gjithçka, që nga krenaria individuale, krijimi i stolive të vogla, kurorave që ke varur, por edhe të kuptosh se sa njerëz do të vijnë këtu dhe do të përjetojnë mrekullinë e sezonit të festave”, thotë vullnetarja Charlotte Smith.
Disa nga vullnetarët kanë dekoruar Shtëpinë e Bardhë më parë dhe mezi presin ta përjetojnë përsëri këtë pjesë të veçantë të magjisë së festave.
(Zëri i Amerikës)