Walker: Serbia po përpiqet t’i fshehë krimet që i ka kryer në Kosovë

Nju Jork, 10 dhjetor 2021 – Ish-diplomati amerikan, William Walker, ka reaguar ashpër ndaj deklaratës së ministrit të Punëve të Brendshme të Serbisë, Aleksandar Vulin, që e mohon Masakrën e Reçakut.

Në një bisedë me Radion Evropa e Lirë, Walker ka thënë se Masakrën e Reçakut, ku forcat serbe kanë vrarë e masakruar 45 civilë shqiptarë, në janar të vitit 1999, nuk mund ta mohojë dhe as ta modifikojë askush.

Walker ka thënë se përpjekja për ta fshehur Masakrën e Reçakut bëhet nga zyrtarë të Serbisë që kanë qenë të përfshirë në krime kundër popullatës civile në Kosovë. Ai ka thënë se njëri ndër ata është Presidenti aktual i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.  

“Disa nga njerëzit që sot janë duke e propaganduar (masakrën e Reçakut) si ‘një gënjeshtër të madhe’, në fakt kanë qenë të përfshirë në fshehjen e saj që nga fillimi. Mendoj se Presidenti Vuçiq është shembull shumë i mirë. Ai ka qenë ministër i Informimit në kohën e Sllobodan Millosheviqit. Ai ka qenë pjesëmarrës në vendimmarrjen e asaj kohe”, ka thënë Ëalker.

Ai ka thënë se Vuçiq ka qenë i përfshirë që nga fillimi në përpjekjet për fshehjen e krimeve të kryera nga forcat serbe ndaj popullatës civile në Kosovë.

“Ai (Aleksandar Vuçiq) ka qenë i përfshirë që nga fillimi në përpjekjen për të mbrojtur të pambrojturën. Është fakt se forcat e sigurisë së Serbisë nuk kanë qenë të përfshira vetëm në atë që ka ndodhur në Reçak, por kanë qenë të përfshira në shumë masakra dhe krime kundër njerëzimit”, ka thënë ai.

Walker ka thënë gjithashtu se Serbia po përpiqet të krijojë një narracion të rrejshëm për krimet që ka kryer gjatë luftës së viteve ‘98-99 në Kosovë dhe ta rishkruajë historinë.

“Mendoj se Beogradi ose, të paktën, Qeveria atje, ndoshta beson se nëse e përsërisin vazhdimisht shprehjen ‘gënjeshtër e madhe’ (për masakrën e Reçakut), do t’i bëjë disa njerëz të besojnë dhe, në njëfarë forme, shpresojnë se historia mund të rishkruhet. Unë vazhdoj të them se Reçaku (masakra e Reçakut), ku unë isha dëshmitar dhe bota ishte dëshmitare, nuk është një gënjeshtër e madhe, por një e vërtetë e madhe”, ka thënë Walker.

William Walker, atëherë shef i misionit verifikues të OSBE-së në Kosovë, ka qenë personi i parë që e ka vizituar Reçakun pas masakrës së kryer nga forcat serbe. Ai kishte deklaruar se ajo çfarë kishte ndodhur në Reçak ishte “një krim i rëndë kundër njerëzimit”.

This image has an empty alt attribute; its file name is William-Walker_ne-Recak-janar-1999.jpg

Të premten, ministri i Punëve të Brendshme të Serbisë, Aleksandar Vulin, e cilësoi Masakrën e Reçakut si “gënjeshtër të tmerrshme”.

“Pretendimi për masakrën (e Reçakut) është një fyerje e madhe për mbarë njerëzimin”, ka thënë Vulin të premten, pas vizitës në një lokacion afër Nishit, ku po bëhen xhirime të një seriali për ngjarjet në fshatin Reçak.

“Në atë kohë, ne nuk ishim as të aftë e as të zgjuar për t’i treguar gjithë botës se çfarë gënjeshtre e tmerrshme ishte ajo. Detyrë e kësaj gjenerate është t’i tregojë të gjithë botës se na bombarduan dhe na bënë kriminelë falë gënjeshtrave, kurse gjaku i fëmijëve tanë është mbi ata që e shpikën këtë gënjeshtër”, ka thënë Vulin.

(r.m.)