Washington Post: “Korrupsioni ka pllakosur prej kohësh Shqipërinë”

Tiranë, 11 korrik 2023 – Gazeta prestigjioze amerikane “The Washington Post” shkruan për kërkesën e Prokurorisë Speciale Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) në Shqipëri që ish-zëvendëskryeministrit Arben Ahmetaj t’i hiqet imuniteti i deputetit, për t’i hapur rrugë arrestimit  dhe gjykimit  të tij për tri akuza që rëndojnë mbi të.

The Washington Post” shkruan se Shqipëria është e zhytur në korrupsion, prandaj Shtetet e Bashkuara të Amerikës e mbështesin fuqishëm reformën në drejtësi që ka objektiv luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar.

“Korrupsioni ka pllakosur prej kohësh Shqipërinë në tranzicion drejt demokracisë. Një reformë gjyqësore, e miratuar në vitin 2016 me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian, krijoi institucione të reja që synojnë të trajtojnë korrupsionin”, shlkruan “The Washington Post”.

Lajmi i plotë, publikuar në gjuhën shqipe nga Balkanweb:

TIRANA, Albania – Prokurorët specialë shqiptarë kërkuan të hënën arrestimin e një deputeti dhe ish-zëvendëskryeministër për akuzat e korrupsionit, duke e akuzuar atë për mosdeklarim të pasurisë dhe vepra të tjera penale.

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, e ngarkuar me ndjekjen e zyrtarëve të lartë, bëri publike kërkesën e saj për arrestimin e Arben Ahmetajt. Ahmetaj, 54 vjeç, ishte zëvendëskryeministër dhe gjithashtu shërbeu si ministër i Financave dhe Ekonomisë në dy kabinete të mëparshme të kryeministrit socialist Edi Rama.

Si ligjvënës, Ahmetaj ka imunitet parlamentar – që do të thotë se Parlamenti së pari duhet të bjerë dakord për arrestimin e tij përpara se të ndërmerret ndonjë veprim për ndalimin e tij. Ndërkohë gjatë hetimeve janë sekuestruar përkohësisht dy vila që i përkasin Ahmetajt.

Ai po hetohet gjithashtu për kontrata koncesionare për menaxhimin e mbetjeve publike, një shqetësim serioz për qeveritë e Shqipërisë dhe një prioritet kryesor në përpjekjet e saj për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian. Një tjetër ish dhe disa zyrtarë aktualë, së bashku me dy biznesmenë, janë në gjyq për të njëjtat kontrata.

Nëse do të gjykohej dhe dënohej, Ahmetaj mund të dënohet me 12 vite burg.

Korrupsioni ka pllakosur prej kohësh Shqipërinë në tranzicion drejt demokracisë. Një reformë gjyqësore, e miratuar në vitin 2016 me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian, krijoi institucione të reja që synojnë të trajtojnë korrupsionin. Shumë gjyqtarë dhe prokurorë janë shkarkuar për korrupsion të dyshuar dhe fitim të paligjshëm të pronave dhe parave.

(r.m.)