Weber: Në zgjidhje kalimtare është rrugëdalje e vetme nga situata e krijuar mes Kosovës e Serbisë

Berlin, 23 gusht 2022 – I dërguari i posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, dhe përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian në dialogun Prishtinë – Beograd, Mirosllav Lajçak, do të kërkojnë në Prishtinë dhe në Beograd një marrëveshje për çështjen e targave të automjeteve dhe të qarkullimit në Kosovë me dokumente personale identifikimi të lëshuara nga Serbia.

Qëllim i tyre është t’i bindin palët të arrijnë një marrëveshje përpara 1 shtatorit, kur pritet të nisë zbatimi i vendimeve të Qeverisë së Kosovës për këto dy çështje.

Por, sipas qëndrimeve të shprehura publikisht nga palët, arritja e një marrëveshjeje nuk duket e lehtë. Kështu mendon edhe Bodo Weber, bashkëpunëtor i lartë i Këshillit për Politikat e Demokratizimit në Berlin.

“Është vështirë të vlerësohet se cili do të jetë rezultati i përpjekjeve që po bëjnë zyrtarët amerikanë dhe evropianë për të arritur një marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë lidhur me çështjen e targave dhe të dokumenteve personale serbe në Kosovë”, ka thënë ai për Radion Evropa e Lirë.

“Është e vështirë të thuhet. Ajo që ka bërë Qeveria e Kurtit ka qenë një veprim i njëanshëm, i cili politikisht është kundër frymës së dialogut… Por, masat e miratuara, zbatimi i të cilave është shtyrë aktualisht, në vetëvete nuk janë kundër marrëveshjes që ka dalë nga dialogu”, ka thënë Weber.

Ai ka thënë se një zgjidhje e përkohshme do të ishte e vetmja rrugëgdalje nga situata e krijuar.

“Në zgjidhje kalimtare është e vetmja rrugëdalje e mundshme në këtë moment”, ka thënë ai.

“Çështjet e regjimit kufitar ndikojnë drejtpërdrejt në çështjen e statusit, kështu që një zgjidhje e përhershme e kësaj çështjeje dypalëshe do të kërkonte negociata serioze për një marrëveshje gjithëpërfshirëse. Dhe, aktualisht, jemi shumë larg nga negociatat e tilla”, ka theksuar ai.

Weber nuk është shprehur optimist as për vazhdimin e dialogut midis Kosovës e Serbisë.

“Dialogu është vërtet në rrugë pa krye”, ka thënë ai.

Sipas tij, diskutimet për shkëmbime territoresh mes Kosovës e Serbisë e kanë goditur rëndë dialogun.

“Dialogu dhe protagonistët e tij janë dëmtuar rëndë nga episodi i negociatave për shkëmbim të territoreve, gjatë viteve 2017-2020”, është shprehur Weber, duke theksuar se prej atëherë nuk ka pasur negociata serioze.

Weber ka thënë se dialogu Kosovë-Serbi duhet të udhëhiqet nga nivelet më të larta të qeverive në Evropë dhe në SHBA.

Javën e kaluar, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, janë takuar në selinë e Bashkimit Evropian, por nuk kanë arritur marrëveshje.

Autoritetet e Kosovës nisën zbatimin e këtyre vendimeve më 1 gusht, por disa grupe radikale serbe në pjesën veriore të Kosovës vendosën barrikada në rrugë duke bllokuar lëvizjen nëpër vendkalimet kufitare në Jarinjë dhe Bërnjakë. Me sugjerimin e partnerëve ndërkombëtarë, Qeveria e Kosovës vendosi ta shtyjë zbatimin e këtyre vendimeve për 30 ditë.

(r.m.)