Wesley Clark: Asgjë nuk do ta bënte Rusinë më të lumtur sa tërheqja eventuale e SHBA-së nga NATO

Uashington, 24 mars 2025 – Ish Komandanti Suprem i NATO-s, Wesley Clark, ka komentuar raportimet se në Pentagon po shqyrtohet një plan që do të rezultonte me heqjen dorë të Shteteve të Bashkuara nga pozicioni i saj si komandant suprem të forcave aleate të NATO-s në Evropë, (SACEUR), një pozicion që është mbajtur nga gjeneralët amerikanë që nga viti 1951.

Clark ka thënë se një vendim eventual që do ta pengonte bashkëpunimin ushtarak midis SHBA-së dhe Evropës do ta kënaqte Rusinë.

“Asgjë nuk do ta bënte Rusinë më të lumtur”, ka thënë Clark për The Hill.

Ai ka thënë se Shtetet e Bashkuara nuk do të kursenin fonde me heqjen dorë nga pozita e komandantit suprem të SACEUR.

“Shumica e shpenzimeve të mia janë paguar nga Belgjika dhe nga fondet e përbashkëta të NATO-s, kështu që nuk ka asnjë kursim të madh në këtë. Është thjesht një dhuratë për zotin Putin”, ka thënë gjenerali në pension Wesley Clark.

NBC News raportoi se Pentagoni po bën një restrukturim të rëndësishëm të komandave luftarake dhe shtabit të ushtrisë amerikane. Sipas dy zyrtarëve të mbrojtjes, një nga planet që po shqyrtohet në Pentagon do të përfshinte heqjen dorë të SHBA-së nga roli i komandantit të forcave aleate të NATO-s në Evropë.

“Komandat ushtarake të SHBA-së janë maja e shtizës amerikane të luftës, Prandaj, ne jemi shumë të shqetësuar për raportet se Departamenti i Mbrojtjes po shqyrton ndryshime të njëanshme në çështjet kryesore strategjike, duke përfshirë reduktime të konsiderueshme të forcave amerikane të stacionuara jashtë vendit, mungesë të koordinimit me Shtëpinë e Bardhë dhe me Kongresin”, ka thënë politikani Mike Rogers.

Ndërkaq, ish-udhëheqësi republikan i Senatit, Mitch McConnell, ka thënë se një vendim i tillë do ta dobësonte në mënyrë drastike aleancën ushtarake të NATO-s, pozicionin drejtues të së cilës SHBA e ka mbajtur për gati 75 vjet.

“Dobësimi i udhëheqjes amerikane nuk do të forcojë interesat e NATO-s apo të SHBA-së. Nëse jemi seriozë për të inkurajuar aleatë më të aftë evropianë, tërheqja nga pozicioni ynë si udhëheqës i aleancës transatlantike do të ishte një mënyrë e çuditshme për ta treguar këtë”, ka thënë McConnell.

Donald Trump i ka kritikuar shumë herë aleatë e Shteteve të Bashkuara në Evropë për investime të pamjaftueshme për mbrojtjen dhe për pjesëmarrje të ulët në financimin e NATO-s. Ai e ka paralajmëruar Evropën se “do të përballen vetëm” me Rusinë, në rast se nuk ndajnë më shumë para për NATO-n.

(r.m.)

Comment

*