Wesley Clark gjen mirënjohje dhe mbështetje në komunitetin shqiptaro-amerikan

Botuesi i gazetës “Illyria”, Vehbi Bajrami, organizoi një takim për të ndihmuar organizatën “Renew America Together”,  të themeluar nga gjenerali që dikur drejtoi  ndërhyrjen e NATO në Kosovë

Nga Beqir Sina

NEW YORK: Një numër veprimtarësh të njohur shqiptarë dhe amerikanë u mblodhën pak ditë më parë në Manhattan për të mbledhur fonde në mbështetje të organizatës “Rinojmë bashkë Amerikën” (Renew America Together), të themeluar dhe drejtuar nga Gjenerali (në pension) Wesley Clark.

Takimi u organizua nga botuesi i gazetës shqiptaro-amerikane “Illyria”, Vehbi Bajrami, i cili prej vitesh ka krijuar miqësi me njeriun që komandoi ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë dhe çlirimin e saj prej pushtimit serb. Takimi u mbajt në restorantin Royal 35 Steakhouse në Manhattan.

“Renew America Torgether” synon që të luftojë përçarjen e thellë që është krijuar prej politikës në vitet e fundit në Shtetet e Bashkuara, duke nxitur dialogun qytetar dhe bashkëbisedimin sa më të gjerë e përfshirës.

Dikur SHBA dhe figura si Wesley Clark i erdhën në ndihmë Kosovës dhe shqiptarëve. Sot kemi rastin të ndihmojmë ne në nismat e mira që i shërbejnë demokracisë amerikane.

Botuesi Bajrami, të cilin Gjenerali Clark e ka pritur edhe në shtëpinë e tij, në Little Rock, Arkansas e ka vlerësuar punën e kësaj organizate dhe ka marrë hapa për ta mbështetur atë.

“Synimi i këtij takim ishte për të ndihmuar organizatën Renew America Together”, tha organizatori i mbrëmjes,  Vehbi Bajrami, “por takimi me Clark, ishte edhe një rast i mirë që në emër të komunitetit shqiptar t’i shprehnim edhe një herë atij mirënjohjen e popullit shqiptar, që edhe sot vazhdon të përkrahë Kosovën në hapat e saj për forcimin e shtetit, ruajtjen e sovranitetit, forcimin e demokracisë dhe zhvillimit ekonomik të saj”.

Dhuruesit që iu përgjigjën ftesës për ta ndihmuar organizatën e Wesley Clark ishin nga SHBA, Kanadaja dhe Europa.

Screenshot

Mes dhuruesve kryesorë shqiptarë u dalluan biznesmenët dhe veprimtarët e njohur: Muharrem Salihu, nga Lugina e Preshevës, i cili mori pjesë edhe në takim bashkë djalin Albanin, Lazim Destani nga Tetova, Kadri e Clark Morinaj nga Tirana, Hazis Vardar nga Parisi, Francë, Naser Berisha (Kanada), si dhe Jim Xhema e Harry Bajraktari, në SHBA. Lista e plotë e dhuruesve gjendet në fund të shkrimit.

Screenshot

Wesley Clark, i cili pas daljes në pension nga shërbimi ushtarak, kandidoi për president në vitin 2003 dhe është parë si kandidat i mundshëm edhe në 2008, kur vendosi të mbështeste së pari Hillary Clinton dhe pastaj senatorin Barack Obama, kishte ardhur në këtë takim i shoqëruar nga bashkëshortja Gertrude Clark dhe nga Mary Lee Smith, drejtoresha ekzekutive e organizatës “Renew America Together”.

Vehbi Bajrami, i cili gjithashtu shoqërohej nga bashkëshortja Gena dhe djemtë, Ron dhe Rini Bajrami, e felnderoi mikun nga Arkansasi për rolin e tij si komandanti suprem i NATO-s në pranverën e vitit 1999, kur drejtoi operacionin ushtarak të bombardimit të Serbisë. Operacioni 78-ditor përfundoi me marrëveshjen kapitulluese të Serbisë dhe tërheqjen e plotë të trupave pushtuese nga Kosova.

Mbrëmjen e drejtoi Christopher Hyland, mik i komunitetit shqiptar që nga viti 1992, kur shërbeu si Zv- Drejtori Kombëtar Politik i Fushatës Presidencialet të Guvernatorit Bill Clinton. Hyland foli për lidhjen e shqiptarëve në atë kohe me Presidentit Clinton, rolin e veprimtarit të njohur Jim Xhema dhe lidhjet e tij në Washington.

Duke prezantuar mikun e nderuar të mbrëmjes, ai tha se “Gjenerali Clark është për Kosovën si Eisenhower ishte për Evropën [në Luftën e Dytë Botërore]… ai i dha jetë lirisë në Kosovë dhe i hapi rrugë hartimit të Kushtetutës së Kosovës që është kushtetuta më liberale dhe përfshirëse që është shkruar ndonjëherë”.

Ai tha se ashtu si Eisenhower vazhdoi ta mbronte Evropën nga komunizmi edhe pas luftës, edhe Gjenerali Clark do t’u bashkohet shqiptarëve që ta mbrojnë Kosovën nga kërcënimi i Serbisë. Duke përmendur interesat perëndimore për litiumin serb, ai shtoi se zotërimi edhe i gjithë litiumit të botës nuk e justifikon krijimin e getove etnike në Kosovë që kërkon të krijojë Serbia.

Në emër të lokalit “Royal 35 Steakhouse”, takimin e përshëndeti njëri nga pronarët e sạj Dr. Adem Sinanaj, veprimtar mjaft i njohur i komunitetit shqiptar nw SHBA.

Screenshot

Ai shprehu kënaqësinë që e kishin të ftuar aty Gjeneralin Clark bashkë me bashkëshorten dhe i shprehu mirënjohjen për rolin udhëheqës për lirinë e Kosovës por edhe më tej.

”Vlera e tij është tejet e dukshme në gjithçka që ai ka arritur edhe përtej fushëbetejës”, tha ai. “Gjenerali Clark do të kujtohet nga shqiptarët e kësaj gjenerate dhe brezat e ardhshëm si mik dhe aleat i Kosovës”.

Më pas Gjeneralin Wesley Clark, e kanë përshëndetur edhe ish kandidati për në parlamentin europian Muharrem Salihu, veprimtari i njohur nga Lugina e Preshevës, i ardhur enkas në këtë event, si dhe Dr. Arben Taravari – Ministri i Shëndetësisë në Maqedoninë e Veriut.

Më tej, Christopher Hyland lexoi letrën përshëndetëse të biznesmenit dhe veprimtarit Lazim Destani, i cili shprehu keqardhjen që nuk mund të merrte pjesë personalisht për ta falnderuar për rolin e tij historik në fatet e shqiptarëve dhe për punën e mirë që po kryen tani nëpërmjet organizatës së tij, “Renew America Together pavarësisht mungesës sime.

Screenshot

Por momenti më interesant i mbëmjes ishte lidhja telefonike nga Tirana, me biznesmenin dhe veprimtarin Kadri Morinaj dhe djalin e tij Clark Morinaj.

Clark, djaloshi 16-vjeçar shqiptar i lindur në Philadelphia i tregoi gjeneralit se si familja ia kishte vënë emrin e tij për ta nderuar njeriun që kishte udhëhequr ndërhyrjen ushtarake për çlirimin e Kosovës.

Ishte një moment emocionues, jo vetëm për djaloshin shqiptar, i cili ndonëse në moshë të re flet një shqipe të artikuluar dhe ka luajtuar në një numër filmash e produksione kinematografikë, por edhe për vetë gjeneralin që u ndje i nderuar e shprehu kënaqësinë që dikush do të mbante emrin e tij edhe kur ai të mos ishte më.

Lidhja telefonike u kthye në një surprizë të bukur për mikun e shqiptarëve, i cili shprehu dëshirën që ta takonte edhe personalisht Clarkun e Ri.

Clark Morinaj është duke filluar studimet në Akademinë e Filmit në New York, ndërkohë që po përgatitet për projektin kinematografik të radhës.

“Jam i gëzuar që iu dha mundësia të fliste me gjeneralin emrin e të cilit i kemi vënë”, u shpeh me këtë rast babai i tij Kadri Morinaj. “Wesley Clark përveçse është si një Skënderbe i dytë për ne shqiptarët, është edhe personalitet me vlera e njeri i mirë”.

Screenshot

Një tjetër moment kulmor ishte prezantimi i bashkatdhetarit Rexhep Balidemaj, ish-i burgosur politik në Jugosllavi dhe tashmë dëshmitar historik, në moshën 101 vjeçare. Ai e falenderoi me emocione gjeneralin Clark për rolin e tij në çlirimin e Kosovës.

Muharrem Salihu foli në këtë takim për shqetësimet e shqiptarëve në komunat Medvegjë, Bujanoc dhe Preshevë, për diskriminimin e hapur nga pushteti serb përmes planit të pasivizimit të adresave të shqiptarëve.

Ai kërkoi mbështetjen dhe lobimin e gjeneralit Clark në Washington për të ngritur zërin për këtë situatë të cilën e krahasoi me përpjekjen e Serbisë për spastrim etnik në vitin 1999.

Asambleisti Nader Sayegh, nga Yonkers, New York, foli me respekt për organizatën që ka themeluar Wesley Clark si dhe për fushatën që bëri kur kandidoi për president. Ai tha se puna që po bën organizata është shumë e nevojshme për të luftuar polarizimin politik të krijuar në kohën tonë.

Screenshot

Ai foli me shumë respekt edhe për komunitetin shqiptaro-amerikan, për sukseset e arritura dhe vendin që ka zënë në shoqërinë amerikane.

Me këtë rast, ai e nderoi të ftuarin e mbrëmjes, Wesley Clark me një Çertifikatë Mirënjohje për kontributin e tij në shoqërinë amerikane.

Në fund, Wesley Clark foli pak për jetën e tij, për fëmininë, shkollimin dhe karrierën e tij në Ushtrinë e Shteteve të Bashkuara.

Duke folur për përvojën e parë në Ballkan, në Bosnjen e vitit 1994, ai kujtoi se si “ata flisnin të njëjtën gjuhë, dhe ata ndanin një kulturë të përbashkët, madje ishin martuar mes njëri tjetrit, e megjithatë urrjetja ndëretnike, sidomos ajo e serbeve ndaj boshnjakve ishte aq e madhe.”

Ai foli pastaj për Kosovën dhe vendosmërinë e Presidentit Clinton që të mos përsëritej ajo që ndodhi në Bosnje. Për këtë vetë Clark udhëtoi disa herë në Beograd ku e paralajmëroi personalisht diktatorin Millosheviq për pasojat që do të kishte nëse nuk ndalonte krimet dhe shpërnguljen e civilëve shqiptarë.

“Nga mënyra se si foli për vrasjen e shqiptarëve e kuptova që kisha të bëja me një kriminel të vërtetë lufte”, tregoi Gjenerali Clark.

Ai ka treguar se si biseda e fundit kishte zgjatur shtatë orë dhe se natën e fundit e kishin gdhirë duke pritur që serbët të nënshkruanin largimin ushtarak nga Kosova.

“Në emër të NATO-s, zbrita në Shqipëri dhe nga Tirana fluturova për në Serbi. U takova me Millosheviqin, kalova shtatë orë e fundit me të. Disa javë më pasë nisën dhe bombardimet që zgjatën 78 ditë”.

Ai foli pastaj për punën që po bën organizata e tij për t’i bashkuar amerikanët që po ndahen nga ideologjia dhe nuk po dinë se si të bisedojnë e të debatojnë me njëri-tjetrin. 

Organizata “Renew America Together” po zhvillon programe në të gjithë Amerikën, që njerëzit të gjejnë gjuhën e përbashkët dhe të dëshmojnë qytetari në marrëdhëniet mes tyre. Për këtë organizata ka krijuar edhe një Institut të Udhëheqjes së Qytetëruar.

Përveç veprimtarëve shqiptarë dalloheshin në takim edhe një numër mbështetësish amerikanë me banim në New York, si për shembull avokatët Jeffrey Buff, David Wrobel, Steven Fax, etj.

Në fund të takimit u mblodhën dhjetëra mijëra dollarë që do të shërbejnë që Wesley Clark dhe organizata “Renew America Together” të vijojnë punën e tyre në shërbim të demokracisë amerikane..

Ngjarjen e filmoi Adem Belliu, pronar i Televizionit “Albanian Culture”.

Screenshot

Lista e plotë e dhuruesve që ndihmuan organizatën e Gjeneralit Wesley Clark:

Muharrem Salihu

Kadri dhe Clark Morinaj

Hazis Vardar

Lazim Destani 

Jim Xhema 

Mentor Balidemaj

Harry Bajraktari

Dr.Kujtim Balidemaj

Ram Qosja

Alban Veliu

Skender Perolli

Shkumbin Balidemaj

Bruno Selimaj 

Burim Bajraktari 

Gjon Lleshaj 

Edward Hammel

Naser Berisha

Gjon Krasniqi

Edward Gojcaj

Agim Kelmendi

Valon Gashi 

Elio Ahmetaj

Sam Vejuka Gashi

Paloke Vulaj

Xhafer Gecaj 

Arthur Warady

Gary Jay Rothman

Ekrem Prekazi

Erdon Topalli

Etnik Idrizi

Steven Fox

David Wrobel 

Wilson Vataj

Sabri Gjoni

Prime Number Capital LLC

John Szwalek

Ramiz Hoti

Vebi Gjyliqi

Xhevat Koliqi

Illyrian Building Managers Association

Sylvia Gjonbalaj 

Dr. Sulejman Celaj

Agim Alickaj

Dino Erbeli

Ramiz Gjonbalaj 

Ernest Kolaj

Faton Bunardziu

Flamur Maloku

Hydronic Mechanical Corp