Uashington, 12 korrik 2021 – Prokurori amerikan, Clint Williamson, që drejtonte grupin hetues të ngritur nga Bashkimi Evropian për hetimin e pretendimeve të raportit të Këshillit të Evropës për krime lufte në Kosovë, tha se mosndriçimi i pretendimeve për ato krime, lë re të zeza mbi rajonin.
Ai i bëri këto komente në një intervistë më të gjatë për programin në gjuhën serbe të Zërit të Amerikës në të cilën komentoi mes tjerash punën e Gjykatës së Posaçme të Kosovës, me seli në Hagë e cila trajton pretendimet për përfshirjen e ish udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare në krime të luftës dhe të pasluftës.
Nga vitit 2011 deri në vitin 2014, zoti Williamson mori përsipër të hetojë pretendimet e ngritura nga i dërguari i Këshillit të Evropës Dikc Marty në vitin 2010, mbi bazë të të cilit edhe u themelua Gjykata e Posaçme në verën e vitit 2015.
Ai e vlerësoi të shkëlqyeshme punën e Dhomave të Specializuara, emri më të cilin njihet Gjykata e Posaçme.
“Nuk po i vënë veshin retorikës politike dhe po bëjnë punën e tyre. Është një përpjekje më e gjerë ndërkombëtare që, ndërsa isha atje, përfshiu hetues, prokurorë dhe analistë nga tetëmbëdhjetë shtete anëtare të Bashkimit Evropian, Shteteve të Bashkuara dhe Kanadasë. Është një përpjekje shumëkombëshe për të gjetur të vërtetën. Gjatë gjithë kësaj periudhe, ata bënë një punë të jashtëzakonshme. Është e vështirë të kthehesh tek krimet që kanë ndodhur më shumë se 20 vjet më pare; Provat zhduken ose vjetrohen, dëshmitarët sëmuren, disa e humbin kujtesën, disa po vdesin. Pra, sa më shumë kohë të kalojë, aq më e vështirë është të ndiqet çështja”, tha ai.
Aktualisht në Hagë ndodhen tetë ish pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare, gjashtë prej tëcilëve, të akuzuar për krime lufte, përfshirë udhëheqësit e saj më të lartë, Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli e Rexhep Selimi.
Drejtues dhe pjesëtarë të kësaj ushtrie janë përballur edhe në të kaluarën me drejtësinë ndërkombëtare, përfshirë dy ish komandantë të saj, Ramush Haradinaj e Fatmir Limaj që u shpallën të pafajshëm.
Themelimi i Gjykatës së Posaçme është përcjellë më shumë kritika në Kosovë ku thuhet se çështjet e krimeve të luftës janë trajtuar nga disa rrathë të drejtësisë ndërkombëtare.
Por, prokurori Williamson tha se “kishte shumë probleme në çështjet që përfshinin udhëheqësit e ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Dhe unë e trajtova këtë çështje kur bëra një deklaratë paraprake mbi të gjeturat e Grupit Hetues në vitin 2014, se në rastet e trajtuara nga Gjykata për Krime Lufte në ish Jugosllavi, si dhe nga EULEX-I dhe UNMIK-u, kishte shumë raste frikësimi të dëshmitarëve dhe ndërhyrje politike nga zyrtarët kryesorë të qeverisë, të mbështetur nga shumë njerëz në media, që dëmtuan mundësinë e gjykimeve të drejta në këto raste”.
Por, ai thotë se kësaj radhe shpreson të jetë ndryshe.
“Natyrisht që nuk dua të paragjykoj përfundimin e rasteve. Unë pashë çfarë provash kishte kur drejtoja hetimet. Por, mandati im si kryeprokuror përfundoi shtatë vjet më parë. Kështu që, unë jam i bindur se këto raste kanë ndryshuar ndjeshëm për sa u përket provave shtesë, meqë disa prova mund të jenë humbur nga ajo kohë, apo ka pasur raste të vdekjes së dëshmitarëve. Jam i bindur që prokuroria do të ketë çështje të forta – përndryshe nuk do të kishte ngritur akuza kundër atyre individëve. Unë mendoj se ata janë shumë të bindur se provat që kanë janë bindëse dhe se gjykata, duke i marrë parasysh ato, do të japë një vendim të duhur. Por, këta individë kanë të drejtën e ‘prezumimit’ të pafajësisë dhe do të mbrohen nga avokatë shumë të zotë nga më të mirët në botë. Në fund të fundit, gjithçka që mund të kërkoni ose dëshironi është një gjykim i drejtë. Një gjykim që do të zhvillohet pa frikësim të dëshmitarëve, si dhe pa ndërhyrje politike, të cilat kontribuuan në prishjen e proceseve në të kaluarën. Nëse e përmbushni këtë, atëherë është sukses. Aktgjykimet duhet të varen vetëm nga provat dhe që gjykatësit duhet të bëjnë analizën e duhur e objektive të provave”, tha prokurori Williamson.
Ai nuk pret që përfundimet e gjykimeve të kenë ndonjë ndikim të shpejtë në marrëdhëniet ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve.
“Cilido qoftë përfundimi i këtyre çështjeve, dikush do të jetë i pakënaqur. Nëse individët dënohen, shumë nga shqiptarët e Kosovës do të zhgënjehen dhe do të thonë se vendimet janë të politizuara, antishqiptare etj. Nëse ata shfajësohen, do të ketë reagime të ngjashme nga pala serbe. Kjo është historia e të gjitha gjykatave (për krime lufte). Shumë pak vendime gjyqësore kanë kënaqur të gjitha palët. Por, kjo është natyra e çështjeve gjyqësore dhe nuk pres që të jetë ndryshe. Unë mendoj se ka pak gjasa që në afat të shkurtër, vendimet e Dhomave të Specializuara të Kosovës të përshpejtojnë procesin e pajtimit. Mendoj se kjo është diçka që kërkon kohë për t’u kapërdirë dhe që njerëzit përfundimisht të kenë një mirëkuptim për provat. Një qasje e tillë mundëson pajtimin dhe përparimin e proceseve politike”, tha ai.
Prokurori Williamson nuk është i sigurt që puna e Dhomave të Specializuara do të ndihmojë proceset politike aktuale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë që janë në një proces bisedimesh për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre.
“Unë do të doja që serbët dhe shqiptarët e Kosovës të kuptonin se është në interesin e tyre të përbashkët të zgjidhin mosmarrëveshjet midis tyre. Unë jam i vetëdijshëm se shumë probleme dhe dallime janë të thella. Këto nuk janë të lehta për tu zgjidhur – sepse përndryshe do të ishin zgjidhur shumë kohë më parë. Ky do të jetë një proces shumë-vjeçar. Është e rëndësishme që përparimi të shihet përgjatë procesit, të shohim që të dyja palët janë gati të lëshojnë pe – dhe të jenë në gjendje të pranojnë disa nga argumentet e palës tjetër. Ju duhet të dëgjoni anën tjetër dhe të përpiqeni të gjeni një mënyrë për të tejkaluar ndarjet. Llogaridhënia mund të jetë një element thelbësorë për këtë. Siç e kam thënë në vitin 2014 me shpalosjen e gjetjeve të hetimeve, fakti që këto çështje nga lufta e Kosovës nuk janë zgjidhur, lë re të zeza mbi rajonin. Dhe është në interesin e të gjithëve që të zgjidhen këto çështje. Formula se pa drejtësi nuk ka paqe do të thotë se duhet të ketë llogaridhënie për të siguruar paqe afatgjate. Drejtësia është thelbësore për arritjen e pajtimit të sinqertë”, tha zoti Williamson.
Në Kosovë kritikët e Gjykatës së Posaçme thonë se me themelimin e saj po bëhet barazimi me mizoritë e kryera nga forcat serbe gjatë luftës së viteve 1998 – 1999, që mori fund me ndërhyrjen e NATO-s. Qeveria e Kosovës paralajmëroi ndërkaq se po përgatitë një padi ndërkombëtare kundër Serbisë për gjenocid.
“Krime të tmerrshme janë kryer kundër shqiptarëve të Kosovës gjatë viteve 1998 dhe 1999”, tha zoti Williamson i cili në vitin 1999 hetoi krimet kundër shqiptarëve si i dërguar i Gjykatës për krime luftë në hapësirat e ish Jugosllavisë.
“Unë isha në terren menjëherë pas hyrjes së forcave të NATO-s në qershor të vitit 1999 dhe bashkërendova operacionet e zhvarrosjeve nga varrezat masive në të cilat u gjetën trupat e gati dhjetë mijë shqiptarëve të Kosovës që u vranë. Askush nuk mund ta mohojë që këto gjëra kanë ndodhur – i pashë me sytë e mi. Këtë e vura në dukje këtë kur publikova gjetjet nga hetimet në vitin 2014 dhe nuk po provoja të rishkruaja historinë duke thënë se shqiptarët e Kosovës kryen krime kundër serbëve. Kjo nuk do të thotë që ju duhet të fshihni nën qilim krimet që janë bërë kundër shqiptarëve të Kosovës nga serbët në 1998/1999. Por, fakti është se ka pasur krime nga të dyja palët. Shumë më shumë shqiptarë të Kosovës u vranë sesa serbë. Por kjo nuk e zvogëlon vuajtjen me të cilën u përballën viktimat serbe dhe nuk e ndryshojnë faktin se edhe ata kanë të drejtë për drejtësi për krimet ndaj tyre. Pra, pavarësisht nëse ju i quani krimet kundër shqiptarëve të Kosovës gjenocid, apo siç e kemi përkufizuar atë para Gjykatës Ndërkombëtare për ish Jugosllavinë – një krim kundër njerëzimit, që mendoj se është një përshkrim më i përshtatshëm, prapëseprapë është një krim i tmerrshëm. Fakti është se mijëra njerëz u vranë dhe qindra mijëra u detyruan të lënë shtëpitë e tyre. Ndodhën gjëra të tmerrshme. Pas kësaj, disa gjëra të tmerrshme u ndodhën serbëve që mbetën në Kosovë. Qasja e duhur është të hetohen krimet e kryera nga të gjitha palët dhe të japin llogari ata që janë përgjegjës për kryerjen e tyre”, tha prokurori Williamson, i cili theksoi se përgjegjësia është individuale dhe jo kolektive.
(Zëri i Amerikës)