Wisner: Donald Trump mund ta eksplorojë çështjen e ndarjes së Kosovës, nëse zgjidhet president

Uashington, 3 nëntor 2024 – Frank Wisner, ish-emisari amerikan që ndërmjetësoi bisedimet Prishtinë-Beograd për statusin e Kosovës në Vjenë, ka treguar pritjet e tij nga Kamala Harris dhe Donald Trump lidhur me konfliktin mes Kosovës e Serbisë.

Wisner ka thënë se nëse zonja Harris zgjidhet Presidente e Shteteve të Bashkuara ai nuk pret ndonjë lëvizje të rëndësishme në kontekstin e këtij konflikti.

“Unë supozoj se administrata e Harrisit do të ndiqte synime më pak ambicioze. Ajo do të bënte përpjekje t’i ulte Kosovën e Serbinë në një tryezë, bashkë me evropianët, por do të synonte përparime më të vogla – në ekonomi, tregti, kulturë, lëvizje njerëzish… Pra, në gjëra që fillojnë ta ulin temperaturën mes dy vendeve”, ka thënë Wisner për Radion Evropa e Lirë.

Wisner ka thënë se nuk e përjashton mundësinë që Donald Trump, nëse zgjidhet president i SHBA-së, ta shqyrtojë ndarjen e Kosovës si zgjidhje të shpejtë të konfliktin.

“Nëse ai sheh ndonjë marrëveshje me [presidentin e Serbisë, Aleksandar] Vuçiq, që i përshtatet, ai nuk do ta presë Kosovën që të bindet. Ai do të jetë transaksional, në kërkim të një marrëveshjeje, në kërkim të një përparimi, në kërkim të diçkaje që e bën të duket mirë. Kosova duhet të jetë e shkathët, të sigurohet se ka mbështetje të fortë nga evropianët, por rrugëtimi i saj mund të jetë i vështirë”, ka thënë  Wisner.

Wisner ka kujtuar se në vitin 2020, gjatë mandatit të parë presidencial të Trumpit. Është folur për një marrëveshje për shkëmbim territoresh mes Kosovës dhe Serbisë, përgjatë vijave etnike.

Ish-emisari amerikan në bisedimet për statusin e Kosovës ka folur edhe për mundësinë e tërheqjes së trupave amerikane nga Kosova. Ai ka thënë se forcat amerikane janë edhe simbol i angazhimit të SHBA-së në Kosovë dhe ka shfaqur shpresën se ato duhet të jenë pjesë e komponentës së sigurisë në Kosovë.

“Nuk është mirë të mendosh se çështjet e kësaj natyre zgjasin përgjithmonë. Por, duke pasur parasysh gjendjen e pazgjidhur të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, shpresoj që trupat amerikane të vazhdojnë të jenë pjesë e regjimit të sigurisë në të cilin jeton Kosova”, ka thënë Wisner.

(r.m.)

Comment

*