Wisner: Serbia duhet t’i dorëzojë përgjegjësit për sulmin terrorist në veri të Kosovës

Nju Jork, 1 tetor 2023 – Ish-përfaqësuesi special i SHBA-së për bisedimet Kosovë-Serbi, ambasadori Frank Wisner, ka thënë se Serbia duhet të dorëzojë përgjegjësit për sulmin terrorist në veri të Kosovës.

“Serbia duhet të ndërmarrë veprime në mënyrë të menjëhershme për t’i dhënë dorën Perëndimit dhe për t’i vendosur para drejtësisë serbe, ose t’i dërgojë drejtësisë kosovare kriminelët që morën pjesë në këtë sulm”, ka thënë ai për Euronews Albania.

“Të gjithë kriminelët e përfshirë në këtë sulm duhet të dalin dhe para drejtësisë. Ky është hapi i parë”, ka thënë ai.

Ambasadori Wisner u ka bërë thirrje dy palëve që të vazhdojnë bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve.

“Nuk ka asnjë mënyrë që të ecim përpara përveç diskutimeve. Pra, unë shpresoj që palët t’i kthehen tryezës së negociatave. Është përgjegjësi e të dy palëve të bëjnë diçka të tillë”, ka theksuar ai.

Wisner ka thënë se zbatimi i marrëveshjes së Brukselit dhe Aneksit të Ohrit, si edhe zgjidhja e çështjes së Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë duhet të jenë hapat e parë.

“Ka një rrugë për të ecur para, kjo është e theksuar të marrëveshja e Ohrit dhe po ashtu kërkon zgjidhjen e problemit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe kjo është mënyra si mund të ecin përpara”, është shprehur Wisner.

(r.m.)