Xhaçka: Në Kosovë, dhuna seksuale u përdor si armë lufte

Nju Jork, 18 janar 2022 – “Si është e mundur që gratë duhet të luftojnë akoma për diçka kaq elementare si barazia, e për të njëjtat të drejta si burrat që janë gjysma tjetër e popullsisë?”

Me këtë pyetje, ministrja e Jashtme e Shqipërisë, Olta Xhaçka iu drejtua pjesëmarrësve në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të OKB-së gjatë debatit me temën “Gratë, Paqja dhe Siguria”.

“Është e ndërlikuar që edhe në kohën kur jetojmë barazia e të drejtave, e përfaqësimit, edukimit dhe mundësive nuk janë të mirëqena, nëse je grua”, tha Xhaçka.

Ajo theksoi se jo shumë kohë më parë, në Kosovë, dhuna seksuale është përdorur si armë lufte ndaj mijëra grave.

“E them si një mësim që ne shqiptarët e kemi nxjerrë nga historia jonë. E pamë këtë në Kosovë. Gratë u lanë pas për t’u kujdesur për familjet e tyre, gratë u lanë pas për të mbledhur pjesët e mbetura”, u shpreh Xhaçka.

“Gratë përdhunoheshin, torturoheshin dhe vriteshin si shënjestra të qëllimshme të një fushate kriminale të spastrimit etnik”, theksoi ajo.

Gjatë luftës në Kosovë, në vitet 1998-1999, besohet se janë janë përdhunuar nga forcat serbe 20,000 persona. Prej tyre, 1,048 e kanë marrë statusin e viktimës së dhunës seksuale të luftës, bazuar në një ligj të miratuar në vitin 2014.

Më shumë se dy dekada pas luftës, autoritetet në Kosovë e kanë dënuar vetëm një person për dhunë seksuale gjatë luftës.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka në proces mbi 1,250 raste të krimeve të luftës, përfshirë raste të dhunës seksuale.

Misioni evropian i EULEX-it, përgjegjës për sundimin e ligjit në Kosovë, ka përfunduar procesin e dorëzimit të dosjeve tek autoritetet e Kosovës në janar të vitit 2019, kur edhe i ka dorëzuar 434 dosje policore të krimeve të luftës.

Në vitin 2018, u themelua një komision qeveritar për verifikimin e viktimave të dhunës seksuale të luftës dhe për njohjen e statusit të tyre.

1,618 persona kanë aplikuar për statusin e viktimës së dhunën seksuale gjatë luftës, i cili u siguron viktimave pension prej 230 eurosh në muaj.

Statusi u është konfirmuar 1,048 personave. 224 aplikime janë refuzuar, 304 aplikime janë në shqyrtim e sipër.

Sipas ligjit, viktima të dhunës seksuale të luftës janë personat që i kanë mbijetuar abuzimit seksual dhe dhunimit në periudhën 27 shkurt 1998 – 20 qershor 1999.

Ministrja Xhaçka, gjatë pjesëmarrjes së saj në këtë debat theksoi se barazia gjinore është një prioritet i lartë për qeverinë shqiptare.

(Euronews.al)