“Shqipëria është e gatshme të çojë përpara me dinjitet agjendën e prioriteteve të saj në Këshillin e Sigurimit”-, tha ministrja Olta Xhaçka.
Knid Ndrenika
Ministrja për Punë të Jashtme, Olta Xhaçka tha se çështja e Kosovës dhe qëndrueshmëria ballkanike janë përparësi e Shqipërisë me mandat dy vjeçar si antare jo e përhersshme e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.
Zonja Xhaçka i bëri komentet paraparake në SHBA ku takoi ekipin përfaqësues të Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit.
Ministrja tha se mandati i Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit është një ngjarje e jashtëzakonshme për diplomacinë shqiptare.
“Kjo është mundësi për t’u dëgjuar e kontribuar në platformën më të rëndësishme të politikës globale”-tha zonja Xhaçka, raporton korrespondenti i RTK-së, Denion Ndrenika.
Sipas ministres Xhaçka, kjo është gjithashtu një mundësi për të promovuar interesat dhe objektivat diplomatikë të Shqipërisë:
“Kjo është një mundësi e artë për të promovuar interesat dhe objektivat diplomatikë të Shqipërisë dhe shqiptarëve, duke nisur sigurisht nga çështja e Kosovës dhe stabiliteti rajonal”.
Për më tepër, sipas ministres, kjo është një mundësi që Shqipërinë të forcojë bashkëpunimin me aleatët dhe të kontribuojë në mënyrë konkrete për të çuar përpara disa prioritete të përbashkëta, siç janë agjenda e Grave, Paqes e Sigurisë apo lufta kundër Radikalizmit të Dhunshëm e sfidat e sigurisë që burojnë nga ngrohja globale.
“Ajo që më bën të ndihem vërtet mirë është që ekipi i diplomatëve tanë është jo vetëm plotësisht i vetëdijshëm për përgjegjësinë e madhe që kanë kundrejt vendit, por janë edhe krejtësisht në lartësinë e detyrës dhe sfidave që i presin”,- tha ministrja.