Ministrja e Jashtme, Olta Xhaçka tha se nëtarësimi në Bashkimin Europian është qëllimi strategjik kombëtar i Shqipërisë
Knid Ndrenika
Ministrja e Jashtme, Olta Xhaçka tha se integrimi në Bashkimin Europian është një nga shtyllat, rreth së cilës është hartuar projektbuxheti për vitin 2022.
Në këtë projektbuxhet për fondet e ministrisë së Jashtme janë parashikuar vlera monetare 17 për qind më shumë se sa në vitin 2021.
Zonja Xhaçka tha se anëtarësimi në Bashkimin Europian është qëllimi strategjik kombëtar i Shqipërisë.
Ministrja Xhaçka foli në Komisionin e Kuvendit për Integrimin Evropian.
Ajo theksoi se Konferenca e Parë Ndërqeveritare ndërkaq, është përparësi afatshkurtër për 2021/2022.
“Vijojnë përgatitjet për negociatat e anëtarësimit dhe për këtë qëllim janë kryer mbi 30 vizita dhe takime lobuese”-tha ministrja.
Po ashtu ajo theksoi se bilanci i Këshillit të Stabilizim-Asociimit tregon se Shqipëria i ka përmbushur kushtet për negociatat.
“KE dha dy vlerësime pozitive për mbajtjen e Konferencës së Parë Ndërqeveritare dhe Shqipëria ka një historik arritjesh lidhur me kërkesat e marsit 2020”-tha zonja Xhaçka.
Duke vërejtur se objektiv parësor është nisja e negociatave për anëtarësimin në BE, ajo shtoi se projektbuxheti 2022 mundëson zhvillimin e Konferencës së Parë Ndërqeveritare si dhe zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit Shqipëri-BE.