Xhaferi hedh poshtë kërkesën e VMRO-së për mbajtjen e referendumit

Shkup, 13 shtator 2022 – Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, të martën, më 13 shtator, hodhi poshtë nismën e partisë opozitare maqedonase VMRO-DPMNE-së për organizimin e një referendumi për anulimin e Marrëveshjes me Bullgarinë.

VMRO DPMNE-ja, që drejtohet nga Hristijan Mickovski, më 9 shtator kishte dorëzuar nismën për referendum me arsyetimin se “Marrëveshja me Bullgarinë është antikombëtare dhe antishtetërore, pasi rrezikon identitetin dhe gjuhën maqedonase”.

Përmes një komunikate, kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi, tha se “iniciativa për referendum nuk është në përputhje me Kushtetutën”, në të cilën, sipas kreut të Kuvendit, thuhet se “marrëveshjet ndërkombëtare që janë ratifikuar janë pjesë e rendit të brendshëm juridik dhe nuk mund të ndryshohen me ligj”.

Marrëveshja me Bullgarinë ishte propozuar nga Franca dhe parasheh që gjatë procesit të bisedimeve me Bashkimin Evropian, Maqedonia e Veriut të zgjidhë çështjet e hapura lidhur me aspektet historike, ndërsa ato për gjuhën dhe identitetin është thënë se nuk do të jenë pjesë e bisedimeve.

Sipas marrëveshjes, Maqedonia e Veriut para nisjes formale të bisedimeve për anëtarësim në bllok, duhet të ndryshojë Kushtetutën për të përfshirë pakicën bullgare në preambulën e saj.

Ndryshimi i Kushtetutës maqedonase bëhet me dy të tretat e votave, të cilat shumica parlamentare nuk i ka, pasi VMRO DPMNE-ja ka thënë se deputetët e saj do të votojnë kundër.

Maqedonia e Veriut më 16 korrik ratifikoi Marrëveshjen me Bullgarinë, ndërsa më 19 korrik nisën bisedimet për anëtarësim me Bashkimin Evropian.

Maqedonia e Veriut statusin e shtetit kandidat e ka fituar në vitin 2005, por bisedimet me BE-në nuk ka mundur t’i nisë fillimisht për shkak të kontestit me Greqinë për çështjen e emrit dhe së fundmi me Bullgarinë, e cila në vitin 2020 vendosi veton duke e kushtëzuar heqjen e saj me zgjidhjen e kontestit për gjuhën, identitetin dhe çështjet historike.

(REL)