Këtë shkrim ia dedikoj rinisë ish të persekutuar politike, si dhe të larguarve të 2 Korrikut 1990, të cilët e deshën jetën, paqen e lirinë në vend. Të gjithë atyre që iu privua liria nëpër burgje, pushkatime e kampe internimi. Asaj gjenerate të madhërishme që nuk mundi të gëzojë e të jetojë në normalitet moshën më të bukur të saj, rininë që nuk kthehet më.
Nga Mimoza Dajçi
Kanë kaluar gati 34 vite kur në Shqipëri u mbyllën njëherë e përgjithmonë “xhirot”.
Ah ” xhirot”!
“Xhirot” e famshme të Tiranës.
Kushdo edhe sot nëpër biseda miqsh e shokësh i kujton me dhimbje e nostalgji pavarësisht pse dhe kur ekzistuan ato. “Xhirot” u mbyllën njëherë e përgjithmonë duke startuar që me eksodin e 2 korrikut…
Eksodin e parë të vitit 1990 në Tiranë, kur turma të mëdha njerëzish, rini apo familje të tëra vërshuan nëpër ambasadat e huaja për t’u larguar nga Shqipëria njëherë e përgjithmonë. Ata tentuan të iknin larg të keqes së madhe që kishte pllakosur vendin, pasi asnjeri nuk e kishte jetën të sigurtë, askush se ndjente veten të lirë e të qetë, por çdo ditë më të mbyllur, më të survejuar, e të rezikuar. Izolimi që iu bë Shqipërisë nga vendet e zhvilluara e perëndimi solli si pasojë atë shkëputje masive të Ortekut njerëzor shqiptar, e kryesisht nga Kryeqyteti i saj i bukur Tiranës. Eksod masiv ky, që tronditi e sensibilizoi botën mbarë. Hide e re të zeza mbuluan ato ditë e netë atmosferën në vend. Lotë e dhimbje ndjente çdo kush për pjesëtarët e tyre të familjes që kishin marrë guximin e thyen tabutë duke kapërcyer nëpër oborret e Ambasadave të huaja. Pse jo edhe për ata që nuk kishin asnjë fare lidhje, ndiheshe i tronditur. Kronikat e lajmeve nga i vetmi Televizion Shtetëror jepnin herë pas here sekuenca rrënqethëse nga hyrjet e “huliganëve” e “armiqve të popullit” nëpër ambasada. Edhe stacionet e huaja televizive transmetonin kronika me pamje nga Shqipëria, por duke thënë të Vërtetën e hidhur për atë izolim ç’njerrëzor të njeriut nga njeriu që ndodhi në vendin tonë.
Më kujtohet si sot, shoqja ime Fatmira Bermema ishte edhe shtatëzanë kur së bashku me bashkëshortin e saj Aleksandër Ligean erdhën e më thirrën në shtëpi nga poshtë pallatit ku banoja në Tiranë.
“Hajde, ne e kemi vendosur, do të hyjmë”. Mamaja ime që i kishte dëgjuar filloi të qajë e më lutej për të mos u futur edhe unë në ambasadë: “Nuk të mjaftuan burgjet e tyt eti, por do të na hapësh përsëri plagë të tjera”- më tha e përlotur. Të nesërmen e pashë në televizion shoqen time shtatëzanë duke kapërcyer hekurat në Ambasadën Gjermane. U preka shumë, ndjeva dhimbje e respekt për të, e nën zë i urova shoqes sime fat e mbarësi. Më shumë nuk kisha fuqi se çfarë të bëja… Sot ata së bashku me vajzat e tyre Amandën e Emin jetojnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Mos të harrojmë edhe spikeren e TV – Shqiptar Vilma Filja Ballvora, e cila edhe ajo me nënën e saj Ditën dhe vëllanë Ervinin ishin nga të parët që hynë në Ambasadën Gjermane në Tiranë. Sot Vilma është Drejtoreshë e Seksionit të Gjuhës Shqipe pranë TV – Deutsche Welle në Bonn.
Thikë me dy presa ishin ato ditë për këdo që ishte brenda mureve, e hekurave të huaja. Internime mbase për të afërmit e tyre që ishin jashtë… Mitingu i madh e i detyruar dhe çirrjet e Xhelil Gjonit në atë miting ngjallën sërish frikë, panik e pasiguri sociale e politike. Si dhe akoma më keq ndjenjën e hapur të luftës së klasave, terrorit e persekucionit komunist. Për afro gjysëm shekulli denoncime, vrasje e burgosje për këdo që e donte jetën, lirinë e demokracinë. Spiunonte gruaja burrin, babai djalin, tmerre, vuajtje fizike e psikologjike këto të papara në historinë e njerëzimit. Për ironi të fatit, për izolimin gjysëm shekullor, një kundër përgjigje ndaj shtetit ishin edhe xhirot. Xhirot e famshme të Tiranës në etapën komuniste, të cilat nisnin nga Stacioni i Trenit e përfundonin tek korrpusi i madh i Univerisitetit të Tiranës. E ky ritual i zakonshëm që do të ndiqej rregullisht nga të rinjtë e Kryeqytetit çdo të shtunë e të dielë, do të hapte siparin e tij nga ora 6 pm deri në ora 10.30 të mbrëmjes. Bëhej me dy korsi, njëra që të çonte për nga Liqeni i Shën Prokopit e tjetra që të kthente për nga “Skënderbeu”, sot Bulevardi “Zogu i Parë”. Kishte edhe nga ata që i frekuentonin xhirot në orët më të vona të natës, që dilnin për të marë ajër të pastër e për të larguar streset e javës.
Duke biseduar paraprakisht mes miqsh, më thanë se më herët Xhiroja e Tiranës fillonte nga Pallati “Ali Kelmendi” deri tek ish “Libri Sovjetik”, pra në trajtë harku. Më vonë u zhvendos në Bulevardin e madh” …. Ndërsa paraditeve xhiroja mbahej ku është sot trotuari i Hotel “Tiranës”. Aty më parë ishin disa dyqane njëkatëshe ndërtuar me qerpiç. Në atë kohë ai vend ishte “pagëzuar” me emrin Broadway. Merak më ka mbetur që atëherë se pse është quajtur ashtu…
50 vjet Xhiro në Tiranë. 50 vjet “ecejake” nëpër Bulevard. I thonë një jetë e tërë, jo shaka. Prandaj ja vlen i thashë vetes t’i kushtoj pak vëmendje. E kush nuk i mban mend xhirot. Të rritur e fëmijë me padurim prisnin sa të vinte fundjava për të dalë xhiro nëpër bulevardin e madh e të bukur të Tiranës. Për të “parakaluar” pa urdhër partie, pa bandë, pa uniformë ushtrie përgjatë asaj rruge të gjatë e të gjerë. Veshur thjeshtë, pastër e me shije. Çdo i ri dhe e re do t’i kushtonte kujdesin e duhur xhiros në fundjavë. Një fustan basme në verë për vajzat. Një palë pantallona doku nga kombinati tekstil për djemtë, e një bluzë e bardhë apo bojë qielli, do të ishin luks i madh për këdo që do t’i siguronte me të njohur.
Por mos të harrojmë se edhe xhirot survejoheshin. Shumë kaleca të ish sigurimit të shtetit të vinin afër, para, mbrapa e anash për të parë e dëgjuar çfarë kishe veshur, si ishe veshur, çfarë flisje, si i kishe krehur e prerë flokët. Dhe të nesërmen ai/ajo që kishte veshur pantallona kauboj apo diçka “ekstravagante” sipas tyre do t’a shikoje me emër, mbiemër e karikaturë në një fletë rrufe të madhe në qendër të Kryeqytetit. Këto ishin masat parandaluese të luftës së klasave dhe shfaqjeve të huaja moderniste për brezin e ri. Për ata që e “tepronin” kishte edhe arrestime.
Eh rini, rini, sa ke vuajtur atë kohë edhe për një bluzë të bukur me kuadratë e pantallona xhins… Edhe pse në diktaturë por regulli dhe estetika tek të rinjtë nuk mungonte. Stili universal evropian i të veshurit përcaktonte fizionominë e çdo të riu e të reje që e donte jetën të qetë e me normalitet. E kush nuk rënkon e kujton nën psherëtimë ato vite të humbura. Pa le rinia e izoluar nëpër tela me gjemba e kampe internimi. Me ç’të drejtë i privohej liria e jeta nga ai regjim e klika e tij rinisë shqiptare? Me ç’të të drejtë morale, politike e sociale izolonte njeriun në një qeli një metër me një, mes lagështirës, e torturave të pashembullta deri në vdekje. Me ç’të drejtë ushtronte presion për divorcet familjare vetëm e vetëm pse dikë nga familja do t’ja burgoste, vriste apo internonte. Edhe tani që po hedh këto rreshta, jam duke rënkuar brenda vetes, por askush nuk më dëgjon, e ndërgjegjësohet, përveçse vetes dhe kompjuterit përballë…
* * *
Takohemi tek “Dajti”, tek ura e “Dajtit”, tek stolat e “Dajtit”, tek parku përballë “Dajtit”, etj. Këto ishin parrullat me “celular” që linin për në fundjavë të rinjtë mes miqsh, shoqesh e shokësh në periudhën e diktaturës. Celular i thënçin, pasi as telefonë nuk kishin pjesa dërmuese e popullsisë, por vetëm sigrurimsat e familjet me partishmëri të lartë komuniste. Të cilët e kishin fjalën për jashtë hotelit, se për brenda as që bëhej fjalë. Tek ambjentet e Hotel “Dajtit” në ato vite mund të hynin vetëm “pezzo grosso-t” shqiptarë, ata me “carta bianca” në xhep, e njerëzit e besuar të sigurimit të shtetit.
Xhirot ishin i vetmi argëtim e gëzim që kishte atë kohë rinia. Sa e sa të rinj lidhën jetën e tyre nëpër ato xhiro të gjata. Sa e sa kujtime të bukura apo edhe të hidhura fshehin ato kalldrëme bulevardeske brenda vetes. Edhe atë të vetëm gëzim që kishin i’a morën, i’a zhdukën nga sytë rinisë. Duke larguar rininë, larguan të ardhmen e vendit, trurin e kombit. Larguan edhe fëmijën nga prindërit e gjorë që i rritën me halle e sakrifica të mëdha. Edhe gjysëm kokër limoni me mik të madh do t’a gjenin në Hotel “Dajti” për fëmijën e sëmurë. Rivierat e Sarandës e Vlorës ishin plantacione me agrume vetëm për “mbretërinë” e bllokut e askush tjetër s’guxonte t’i prekte, përndryshe i priste plumbi kokës. E kush do t’ia zhdukte e do t’ja merrte xhiron rinisë. Ishte pra ai regjim i egër e i rëndë që do t’i merrte jetën ngadalë nëpër burgje, internime e miniera ose duke shkaktuar si pasojë e urrejtjes atë lloj eksodi të madh si një prurje e furishme në qendër të Evropës.
Fjala xhiro, vjen nga italishtja që do të thotë të vish rrotull. Se kush i ka shpikur e themeluar Xhirot nuk dihet akoma, por duke i’u referuar fakteve historike do të shohim se xhiro kemi patur edhe në Shkodër, Durrës, Korçë, Pogradec e Elbasan, Fier, Lushnjë mbase edhe në ndonjë qytet tjetër. Dikush tjetër që ishte i apasonuar pas xhiros mund të shtojë edhe ndonjë qytetet apo zonë tjetër të vendit….