Pekin, 4 shkurt 2022 – Presidenti rus Vladimir Putin dhe udhëheqësi kinez Xi Jinping u takuan të premten përpara ceremonisë së hapjes së Lojërave Olimpike në Pekin, në një shfaqje uniteti mes marrëdhëniesh gjithnjë e më të tensionuara me Shtetet e Bashkuara.
Agjencia zyrtare ruse e lajmeve ‘Tass’ bëri të ditur se zoti Putin vlerësoi karakterin vërtet të pashembullt të marrëdhënieve Kinë-Rusi, një marrëdhënie dinjitoze, që ndihmon këto dy vende të zhvillohen, sikurse tha ai.
Presidenti Putin njoftoi një marrëveshje të re për të siguruar 10 miliardë metër kub gaz në vit për Kinën. Zyrtarët rusë kanë thënë se të dy udhëheqësit mund të nënshkruajnë më shumë se 15 marrëveshje gjatë vizitës.
Në vitin 2021, palët arritën një rekord prej 146 miliardë dollarësh në shkëmbime tregtare dypalëshe. Zoti Putin i tha zotit Xi të premten se ai është i bindur se tregtia mes dy vendeve së shpejti mund të arrijë në 200 miliardë dollarë.
Ky është takimi i parë i zotit Xi ballë për ballë me një udhëheqës botëror pas më shumë se një viti. Sipas mediave shtetërore kineze, Presidenti kinez i tha zotit Putin se takimi do t’i japë më shumë vitalitet marrëdhënie mes dy vendeve.
Pavarësisht mungesës së një aleance formale mes tyre, Rusia dhe Kina janë afruar edhe më shumë në vitet e fundit teksa punojnë për të kundërshtuar ndikimin e SHBA-ve.
Kina ka qenë më e zëshme në mbështetjen e Rusisë, edhe pse Moska ka grumbulluar më shumë se 100,000 trupa përgjatë kufirit me Ukrainën, duke rritur frikën e një konflikti. Rusia ka kërkuar që Ukraina të mos anëtarësohet në NATO dhe kërkon që aleanca të tërheqë trupat ushtarake nga Evropa Lindore.
Analistët thonë se bashkëpunimi Rusi-Kinë mund ta bëjë më të vështirë për Shtetet e Bashkuara që të ndëshkojnë Moskën me sanksione ose që të ndërmarrin masa të tjera, në rast të një pushtimi rus të Ukrainës. Përpara udhëtimit, zyrtarët rusë thanë se të dy qeveritë po punojnë për të krijuar një marrëdhënie ekonomike që do të garantojë mbrojtje nga sanksionet e vendosura nga vendet e tjera.
Një rritje e armiqësisë SHBA-Rusi mund të largonte gjithashtu vëmendjen e Presidentit Joe Biden nga Kina, një vend që ai e ka identifikuar si prioritetin e tij më të madh të politikës së jashtme.
(Zëri i Amerikës)