Moskë, 20 mars 2023 – Presidenti i Kinës, Xi Jinping, ka nisur vizitën në Moskë të hënën, ku pritet të shtyjë përpara idenë që Pekini të bëhet një paqebërës potencial në konfliktin në Ukrainë, ndërsa presidenti rus, Vladimir Putin, shpreson të marrë mbështetjen kineze kundër presionit perëndimor.
Xi është lideri i parë i huaj që do të takohet me Putinin, pasi Gjykata Penale Ndërkombëtare lëshoi një urdhërarrestim ndaj tij të premten lidhur me dëbimin e fëmijëve ukrainas për në Rusi, pas nisjes së pushtimit të Ukrainës.
Moska tha se akuzat, që sipas gjykatës përbëjnë krime lufte, janë në mesin e një numri të “armiqësive të qarta të shfaqura” dhe Pekini tha se ato shfaqin standarde të dyfishta.
Rusia po e paraqet vizitën e Xi-së, si dëshmi se ka një mik të fuqishëm që është i gatshëm të qëndrojë kundër një Perëndimi armiqësor, të cilin e akuzon se po përpiqet që ta izolojë dhe mposhtë Moskën.
“Ne mund të ndjemë se peizazhi gjeopolitik në botën e jashtme po pëson ndryshime drastike”, tha Putin në një artikull të publikuar në gazetën kineze, People’s Daily. Ky artikull u publikua edhe në ueb-faqen e Kremlinit. Aty, Putin shtoi se kishte shpresa të mëdha për vizitën e “mikut të mirë e të vjetër”.
Vizita e Xi-së vjen pak kohë pasi Kina ka paraqitur një propozim prej 12 pikash për zgjidhjen e krizës në Ukrainë, por edhe në kohën kur Pekini po forcon lidhjet me Moskën.
Kina vazhdimisht ka hedhur poshtë akuzat e Perëndimit se po planifikon që ta armatosë Rusinë, por ka thënë se dëshiron të ketë një partneritet më të ngushtë në fushën e energjisë dhe ka rritur importet e qymyrit rus, gazit dhe naftës, pasi Rusia nisi pushtimin e Ukrainës. Sanksionet perëndimore ndaj energjisë ruse nënkuptojnë se Pekini mund të kursejë miliarda dollarë.
Të hënën, Xi pritet të mbajë bisedime joformale me Putinin dhe më pas dy liderët do të darkojnë.
Bisedimet zyrtare pritet të zhvillohen të martën.
Kina nuk e ka dënuar Rusinë për pushtimin e Ukrainës dhe ka paraqitur një plan për një armëpushim në Ukrainë.
Ukraina dhe mbështetësit e saj perëndimorë kanë thënë se çdo marrëveshje armëpushimi do t’i ndihmonte më shumë Putinit, duke i ofruar kohë që të riforcojë radhët para ofensivës së planifikuar pranverore të Ukrainës.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka thënës se ai do ta shqyrtonte një marrëveshje të paqes, vetëm nëse trupat ruse largohen nga territori i shtetit të tij.
(REL)