Yulia Navalnya: Putini s’do të shpëtojë pa u ndëshkuar, nëse konfirmohet vdekja e Alexeit

Munih, 16 shkurt 2024 – “Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, dhe bashkëpunëtorët e tij nuk do të shpëtojnë pa u ndëshkuar nëse konfirmohet vdekja e raportuar e Alexei Navalnyt”, tha të premten Yulia Navalyana, bashkëshortja e kritikut të zëshëm të Kremlinit.

Yulia Navalnya i bëri thirrje bashkësisë ndërkombëtare ta luftojë së bashku “regjimin e tmerrshëm” në Rusi, duke folur Konferencën e Sigurisë në Munih.

“Nuk e di nëse duhet t’i besojmë lajmit të tmerrshëm. Ne nuk mund t’i besojmë Putinit dhe Qeverisë së tij. Por, nëse kjo është e vërtetë do të doja që Putini dhe i gjithë stafi i tij, të gjithë rreth tij, Qeveria e tij dhe miqtë e tij ta dinë se do të ndëshkohen për atë që kanë bërë me shtetin tonë, me familjen time dhe me bashkëshortin tim”, tha Yulia për raportimet për vdekjen e bashkëshortit të saj në burgun rus.

Një departament lokal i Shërbimit Federal të Burgjeve të Rusisë tha të premten në mesditë se Navalny ka vdekur në burg.

“Të gjitha masat për ta kthyer në jetë u ndërmorën, por ato nuk prodhuan rezultate pozitive. Mjekët e autoambulancës e shpallën të vdekur të burgosurin. Shkaku i vdekjes është duke u përcaktuar”, u tha në deklaratën e Shërbimit rus, njoftim që nuk ka qenë e mundur të konfirmohet në mënyrë të pavarur.

Mediat e kontrolluara nga shteti rus po ashtu kanë cituar këtë deklaratë, duke raportuar se Navalny, 47 vjeç, ka vdekur.

Media shtetërore, TASS, citoi zëdhënësin e Kremlinit, Dmitry Peskov, të ketë thënë se presidenti rus, Vladimir Putin, është informuar për raportimet lidhur me vdekjen e Navalnyt dhe se ai nuk kishte informacione për shkakun e vdekjes së tij.

Por, sekretarja për media e Navalnyt, Kira Yarmysh, shkroi në X, që më herët njihej si Tëitter, se ekipi i kritikut të Kremlinit, nuk ka konfirmim për vdekjen e tij.

“Shërbimi Federal i Burgjeve në qarkun Jamalo-Nenets po shpërndan lajme për vdekjen e Aleksei Navalnyt në burgun IK-3. Ne ende nuk kemi konfirmim për këtë lajm. Avokati i Navalnyt do të shkojë atje dhe sapo të kemi informacione, do t’iu njoftojmë”, shkroi ajo.

Raportimi për vdekjen e Navalnyt ka nxitur zemërim dhe dënim nga liderët botërorë që e kanë thënë se kritiku i Kremlinit ka paguar “çmimin më të lartë” për kurajën e tij për të folur kundër udhëheqjes së shtetit.

Navalny, një kritik i zëshëm i Putinit, është mbajtur në burgun rus prej vitit 2021 nën akuza që janë cilësuar nga shumë si të nxitura politikisht.

Në gusht, Navalny u shpall fajtor për themelimin dhe financimin e një organizate ekstremiste, gjë të cilën e ka mohuar gjithmonë, dhe u dënua me 19 vjet burgim shtesë.

Ai veçse ishte dënuar me nëntë vjet burgim për shkelje të lirimit me kusht, për mashtrim dhe shpërfillje të gjykatës.

(REL)