Tiranë, 29 shtator 2022 – Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri, Yuri Kim, i ka vlerësuar rezultatet e deritashme të reformës në drejtësi dhe të Prokurorisë Speciale Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (SPAK) të themeluar në kuadrin e kësaj reforme.
Në një intervistë për emisionin “Opinion, me Blendi Fevziun, ajo ka theksuar se SPAK, prej themelimit, ka sekuestruar asete me vlerë 70 milonë euro.
“SPAK deri më sot ka një përqindje dënimesh 90 për qind. Me fjalë të tjera, kur padisin dikë dhe atë person apo institucion e çojnë në gjyq, në 90 për qind të rasteve shpallet fajtor, i konfiskohen asetet dhe shkon në burg. Për 12 vjet, përpara vitit 2019, sistemi i drejtësisë, prokurorët e posaçëm këtu, i kishin kapur rreth 20 milionë euro asete… Prej reformës në drejtësi, nga dhjetori i vitit 2019 dhe gjatë gjithë vitit 2021, SPAK ka arritur të sekuestrojë asete me vlerë 70 milionë euro. Me shtatë, zero. Shtatëdhjetë milionë euro. Këto përfshijnë ndërtesa, biznese, para në banka…”, ka thënë ambasadorja Kim.
Ajo ka thënë se, sipas këtij trendi, gjatë këtij viti do të sekuestrohen asete mevlerë afër 100 milionë euro.
Ambasadorja Kim i ka hedhur poshtë kritikat se reforma në drejtësi ka prodhuar drejtësi selective. Ajo ka theksuar se pandëshkueshmërisë në Shqipëri po i vjen fundi dhe për këtë ka përmendur burgosjen e dy ish-ministrave, të cilët i ka cilësuar si “të fuqishëm të partisë në pushtet”.
“Kur ka qenë hera e fundit, Blendi, kur dy ministra, dy ministra të fuqishëm të partisë në pushtet, menjëherë pasi e kanë lënë zyrën janë futur në burg? A mendoje se Saimir Tahiri do të futej në burg? E vëmë me bast se nuk e mendoje. Jam e sigurtë se pjesa më e madhe e njerëzve mendonin: ‘Ja një person që kurrë nuk do të dalë përpara drejtësisë, sepse është i fuqishëm. Ja një person që është i mbrojtur’. Apo jo? Asaj kohe të pandëshkueshmërisë po i vjen fundi. E njëjta gjë shihet në përcaktimet tona në mbarë botën. Prandaj, ideja që kjo drejtësi është selektive, mendoj se pasqyron padurimin dhe dëshirën për të parë drejtësi’, është shprehur ajo.
Ambasadorja Kim është pyetur edhe lidhur me aferën e inceneratorëve, e cila e ka dominuar diskursin politik në Shqipëri, muajt e fundit. Ajo ka thënë se SPAK do të bëjë punën e vet edhe lidhur mekëtë aferë.
“Lëreni SPAK-un të bëjë punën e tij”, ka thënë ajo.
Ambasadorja Kim është pyetur edhe për nismën ligjore për amnisti fiskale. Ajo ka thënë seqëndrimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës lidhur me amnistinë fiskale dhe pastrimin e parave është i njohur, por nuk ka thënë qartësisht nëse e kundërshton apo jo këtë nismë. Sidoqoftë, ka thënë se një qëndrim i qartë i SHBA-së për këtë çështje do të shprehet kur të hartohet version përfundimtari draft-ligjit.
“Mendimi ynë për mekanizma si amnistia fiskale dhe për hapat që Shqipëria duhet të ndërmarrë për të luftuar pastrimin e parave është shumë i qartë dhe shumë i njohur. E kemi diskutuar këtë publikisht e privatisht dhe kjo është përfshirë në raportet tona. Nuk ka asnjë surprizë kur vjen puna tek qëndrimi i Shteteve të Bashkuara mbi këto çështje. Nuk e kam parë versionin e fundit të amnistisë fiskale, por le ta shohim”, është shprehur ajo.
(r.m.)