Tiranë, 11 janar 2022 – Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri, Yuri Kim, vazhdon thirrjet për zbatimin e Reformës në Drejtësi.
Ambasadorja Kim, në një postim në rrjetet sociale, ka thënë se investimet amerikane në Shqipëri janë rritur dhe ka theksuar se transparenca dhe gjykatat e pastra sjellin më shumë investime, më shumë zhvillim dhe më shumë mundësi punësimi dhe prosperitet.
“Shumë mirë të shohësh rritjen e investimeve amerikane në Shqipëri. Rregulla racionale, të qarta, transparente plus gjykata të pastra (d.m.th që mosmarrëveshjet të zgjidhen me ligj dhe jo ryshfet) do të tërheqin edhe më shumë investime. Le të vazhdohet me implementimin e Reformës në Drejtësi që të ketë më shumë mundësi punësimi dhe prosperitet për njerëzit”, shkruan ambasadorja Kim.
Ambasadorja Kim e ka shpërndarë edhe një postim të Dhomës Amerikane të Tregtisë që flet për një rritje të qëndrueshme të investimeve amerikane në Shqipëri.
Në 9 muajt e parë të vitit 2021, në Shqipëri është rritur për 78 milionë Euro shuma e investimeve, krahasuar me një vit më parë, duke shkuar në 422 milionë Euro në total.
(r.m.)