Shkup, 22 dhjetor 2021 – Kryeministri i deritashëm i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, finalizoi dorëheqjen e tij më 22 dhjetor.
Deri nga mesi i janarit të vitit 2022, Maqedonia e Veriut do të ketë Qeveri të re, që do të udhëhiqet nga Dimitar Kovaçevski, kryetari i ri i Lidhjes Social Demokrate (LSDM). Në krye të ekzekutivit, ai do ta zëvendësojë Zaevin.
Dorëheqjen nga Qeveria, Zaev e ka paralajmëruar më 31 tetor, pas disfatës së thellë të Lidhjes Social Demokrate në zgjedhjet lokale.
Ai ka marrë përgjegjësinë për humbjen e LSDM-së përballë partisë opozitare, VMRO DPMNE, dhe ka dhënë dorëheqje edhe nga drejtimi i partisë.
Por, dorëheqja e tij është vonuar për gati dy muaj, pasi LSDM-ja ka humbur edhe shumicën parlamentare, për shkak të largimit të Lëvizjes Besa nga Qeveria.
Për të shmangur zgjedhjet e parakohshme, Zaev ka ftuar në Qeveri partinë tjetër shqiptare, Alternativa, me të cilën ka arritur marrëveshje për koalicion.
Më 11 nëntor, ai i ka mbijetuar edhe mocionit të mosbesimit, që është iniciuar nga VMRO DPMNE-ja.
Dimitar Kavaçevski, pasardhësi i Zoran Zaevit
Mandatin për formimin e Qeverisë së re, Dimitar Kovaçevski e merr nga presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, brenda dhjetë ditësh pasi që Kuvendi ta njoftojë kreun e shtetit me vendimin se ka konstatuar dorëheqjen e Qeverisë së Zoran Zaevit.
Mandatari, sipas Kushtetutës, brenda 20 ditësh, duhet të dorëzojë për miratim në Kuvend përbërjen e re qeveritare, e cila votohet me 61 vota të deputetëve. Shumica parlamentare numëron 64 deputetë.
Përveç Alternativës, pjesë e Qeverisë është edhe Bashkimi Demokratik për Integrim, Partia Demokratike Shqiptare dhe disa parti më të vogla maqedonase, që janë pjesë e koalicionit me LSDM-në.
VMRO DPMNE kërkon zgjedhje të parakohshme
Opozita, që tani e përbëjnë VMRO DPMNE-ja, Aleanca për Shqiptarët dhe Lëvizja Besa, thotë se Qeveria e re, që është në formim e sipër, paraqet vazhdimësi të Qeverisë së deritashme – sipas saj, e paaftë për t’i zgjidhur problemet, me të cilat përballet vendi.
Opozita kërkon qeveri teknike, me mandat organizimin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.
“Zgjedhjet e parakohshme parlamentare janë zgjidhja e vetme për dalje nga gjendja, në të cilën ndodhet vendi – në krizë të thellë politike, ekonomike, energjetike, diplomatike… kur kemi sërish veto dhe bllokim të procesit integrues. Zgjedhjet nuk janë gjithmonë zgjidhja më e mirë, por ato janë të domosdoshme kur kemi Qeveri të paaftë që të përballet me sfidat, nëpër të cilat po kalon vendi”, thotë kryetari i VMRO DPMNE-së, Hristijan Mickoski.
“Në kërkojmë që në shkurt ose mars të formohet një qeveri teknike, ndërsa zgjedhjet e parakohshme të mbahen në maj apo qershor, kur populli do të vendosë për të ardhmen e Maqedonisë [së Veriut]”, shton ai.
Zoran Zaev, për disa hero, për të tjerët tradhtar
Zoran Zaev, në krye të Lidhjes Social Demokrate ka ardhur në vitin 2013, duke zëvendësuar në këtë post ish-presidentin Branko Cërvenkovski.
Në vitin 2015, Zaev, si lider i opozitës, ka publikuar atë që njihej si “Afera e përgjimeve”, e cila ka nxjerrë në pah shpërdorime të shumta të pushtetit nga ish-kryeministri Nikolla Gruevski.
Si pasojë e aferës, shumë zyrtarë të lartë, ministra, përfshirë edhe ish-kreun e Qeverisë, Gruevski, janë gjykuar për vepra të shumta penale.
Afera e përgjimeve ka bërë që në dhjetor të vitit 2016, Maqedonia e Veriut të shkojë në zgjedhje të parakohshme parlamentare, por ndërrimi i pushtetit është bërë në vitin 2017, pas zhvillimeve dramatike – përfshirë dhunën në Kuvend më 27 prill – ku në shënjestër të sulmeve nga ithtarët e opozitës që kanë pushtuar Kuvendin, ka qenë edhe vetë Zaev dhe përfaqësues të opozitës së atëhershme.
Kjo ngjarje i ka dhënë Zaevit epitetin e heroit te një numër i madh njerëzish, të cilët kanë çmuar rolin e tij për ndërrimin e pushtetit të Gruevskit, i cili jo vetëm nga opozita, por edhe nga përfaqësues ndërkombëtarë është konsideruar si i korruptuar.
Në postin e kryeministrit, Zaev ka qëndruar pesë vjet, ndërsa paraprakisht, për nëntë vjet, ka qenë kryetar i Strumicës, një qytet në juglindje të Maqedonisë së Veriut.
Ndryshimi i emrit dhe anëtarësimi në NATO
E arritura tjetër që i atribuohet Zaevit nga mbështetësit e tij, e që ka pasur edhe mbështetje ndërkombëtare, është zgjidhja e mosmarrëveshjes gati 30-vjeçare me Greqinë, rreth emrit.
Për shkak të këtij kontesti, Maqedonia e Veriut ka qenë në dhomën e pritjes së NATO-s qysh në vitin 2008.
Me angazhimin e tij personal, së bashku me kryeministrin e atëhershëm grek, Alexis Tsipras, është arritur marrëveshja për emrin. Republika e Maqedonisë është bërë Republika e Maqedonisë së Veriut.
Nga viti 2020, vendi është bërë edhe zyrtarisht anëtar i NATO-s.
Por, zgjidhja e kontestit ka bërë që opozita dhe një grup tjetër njerëzish t’i japin Zaevit epitetin e tradhtarit, duke thënë se ai “ka tradhtuar interesat kombëtare me heqjen dorë nga emri kushtetues i vendit dhe historia antike”.
Mosmarrëveshja me Bullgarinë
Pavarësisht kritikave, Zoran Zaev, pas zgjidhjes së kontestit me Greqinë, ka nisur përpjekjet për të zgjidhur një tjetër mosmarrëveshje me Bullgarinë – një tjetër vend fqinj i Maqedonisë së Veriut – që tashmë ka bllokuar integrimin evropian.
Zaev po largohet nga Qeveria, por i bindur se pasardhësi i tij, Dimitar Kovaçevski, do të arrijë zgjidhjen e këtij kontesti, që kryesisht ka të bëjë me çështje që lidhen me gjuhën, identitetin maqedonas dhe të kaluarën historike.
Mbështetja dhe renditja ndërkombëtare
Qeverisja e Zaevit, shikuar nga prizmi i pozitës ndërkombëtare i Maqedonisë së Veriut, është pjesërisht e suksesshme.
Ndryshe nga paraardhësi i tij, Nikolla Gruevski, i cili ka marrë kritika të ashpra nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara në vitet e fundit të qeverisjes së tij, Zaev ka pasur mbështetjen e tyre.
Disa herë ka qenë në takime, ku ka marrë pjesë edhe ish-kancelarja gjermane, Angela Merkel. Në Paris është pritur nga presidenti i Francës, Emmanuel Macron, i cili e ka siguruar se Maqedonia e Veriut e meriton fillimin e negociatave të anëtarësimit në BE.
Në vitin 2019, në Ohër, Zaev ka pritur sekretarin e atëhershëm amerikan të Shtetit, Mike Pompeo.
(REL)