Shkup, 2 nëntor 2021 – Kryeministri maqedonas Zoran Zaev, i cili menjëherë pas zgjedhjeve lokale të dielën paralajmëroi dorëheqjen, ende nuk e ka dorëzuar atë në parlament, ndërsa partnerët e koalicionit qeveritar këmbëngulin që ai të vazhdojë ta drejtojë qeverinë. Analistët mendojnë se zoti Zaev do të qëndrojë në post deri në muajin dhjetor, kur shpresohet se do të mbahet konferenca ndër-qeveritare me Bashkimin Evropian.
Ndërkaq opozita maqedonase, e cila shënoi fitore të thellë në këto zgjedhje, kërkon largimin e zotit Zaev dhe shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme.
Në pritje të procedimit ligjor të dorëheqjes së paralajmëruar nga kryeministri maqedonas, ka mendime dhe vlerësime nga ata që thonë se zoti Zaev nuk duhej të jepte dorëheqjen sepse këto nuk ishin zgjedhje parlamentare por lokale dhe të tjerë që e quajnë një vendim dinjitoz të kryeministrit, ndërsa presin me kurreshtje zhvillimet që do të pasojnë. Zoran Zaev vetëm pak orë pas mbylljes së kutive të votimit njoftoi dorëheqjen nga posti i kryeministrit dhe i kryetarit të Lidhjes Social Demokrate. Partia e tij pësoi humbje të thellë përballë VMRO-së së opozitës në zgjedhjet lokale të së dielës.
Arben Ratkoceri, botues i gazetës Koha në Shkup, thotë se nëse parlamenti e miraton dorëheqjen e zotit Zaev, atëherë vendi do të rrëshqasë në paqartësi politike në një kohë kur ndodhet para një numri sfidash që e presin:
“Vetëm dy opsione janë në rast se miratohet dorëheqja e zotit Zaev: ajo e zgjedhjeve të parakohshmë dhe ajo e krijimit të një qeverie ekspertësh, e cila do të merrej me tre problematika kryesore që janë para Maqedonisë (së Veriut). Çështja e pandemisë dhe kriza e paralajmëruar energjetike, si dhe kontesti identitar që Maqedonia (e Veriut) e ka me Bullgarinë dhe që ishte një pengesë për avancimin e vendit në hapjen e negociatave me BE-në. Duket se kjo e dyta po përkrahet më shumë në opinionin më të gjerë publik në Maqedoni, edhepse sikur në të gjithë rajonin faktori ndërkombëtar në raste të tilla është me mjaft ndikim, por deri tani nuk ka një prononcim nga ai”, thotë analisti.
Partnerët e koalicionit qeveritar u përpoqën të hënën në mbrëmje ta bindin kryeministrin që të qëndrojë në krye të ekzekutivit, ndërsa nuk dihet nëse Zaev do të ndryshojë qëndrimin.
Artan Grubi i BDI-së thotë se ajo dorëheqje nuk duhet të pranohet “dhe kjo qeveri duhet të vazhdojë, sepse na presin shumë punë dhe nuk mund të lejojmë ngecjen e sërishme të këtij vendi”.
Nga ana tjetër, opozita e drejtuar nga VMRO-DPMNE-ja qysh në fushatën e raundit të parë tha se po përgatitej për formimin e një shumice të re parlamentare. Por, për këtë i duhen jo vetëm deputetët e Aleancës dhe Alternativës por edhe të Lëvizjes Besa, e cila aktualisht bën pjesë në koalicionin qeveritar. Po ashtu, një shumice të re parlamentare të drejtuar eventualisht nga VMRO-ja do t’i duheshin edhe dy ligjvënësit nacionalistë maqedonas të partisë ‘E Majta’, një koalicion vështirë i pranueshëm në këto rrethana për Lëvizjen Besa.
“Mua ky më duket i vetmi variant që është i pamundur, sepse thjesht nuk i kanë numrat, ndërsa qeveria aktuale, siç u prononcuan partnerët e koalicionit, të paktën edhepse ka një shumicë të ngushtë, por duket që është stabile. Opozita e përdori në fushatë me qëllim joshjen e votuesve kinse menënjeherë pas zgjedhjeve lokale do të kishte një shumicë tjetër parlamentare“, thotë zoti Ratkoceri.
Nëse kryeministri Zaev e dorëzon dorëheqjen në parlament dhe ajo miratohet aty, kryetari i legjislativit e njofton presidentin e vendit, i cili brenda një afati prej dy javësh duhet t’ia dorëzojë mandatin për formimin e kabinetit të ri një politikani që garanton shumicën në parlamentin prej 120 vendesh.
Lidhur me zhvillimet e fundit në Shkup është prononcuar edhe Departamenti Amerikan i Shtetit përmes një komunikate ku theksohet se Ambasada e SHBA-së (në Shkup) po ndjek ngjarjet pas raundit të dytë të zgjedhjeve, përfshirë shpalljen e dorëheqjes nga Kryeministri Zoran Zaev. “Shtetet e Bashkuara, thuhet më tej, e shikojnë Maqedoninë e Veriut si partnere të besueshme dhe të çmuar në rajon dhe presin me padurim për të vazhduar bashkëpunimin me qeverinë e Maqedonisë së Veriut në fusha të interest të përbashkët, ndërsa vendi vazhdon përparimin drejt integrimit Euro-atlantik”.
(Isak Ramadani, Zëri i Amerikës)