Shkup, 5 tetor 2021 – Kryeministri maqedonas Zoran Zaev tha të martën se nuk do të pranojë dorëheqjet e Ministrit të Shëndetësisë Venko Filipçe dhe zëvendës ministrit, Ilir Hasani që i kishin ofruar në shenjë përgjegjësie morale pas zjarrit që shkrumboi qendrën spitalore të koronavirusit në Tetovë, ku si pasojë humbën jetën 12 pacientë dhe dy familjarë të tyre.
Zoti Zaev doli me këtë qëndrim pasi Prokuroria Themelore në Tetovë pranoi raportin e ekspertizës në të cilin konstatohej se zjarri në spitalin për trajtimin e pacientëve me koronavirus në këtë qytet, ishte shkaktuar nga një qark i shkurtër elektrik në një prizë zgjatuese.
Kryeministri Zoran Zaev tha për mediat se kishte lexuar me kujdes gjetjet e hetuesve mbi shkakun e fatkeqësisë në këtë spital.
“Në bazë të këtyre njoftimeve dhe atyre të mëparshme, dua ta informoj publikun se nuk ka arsye për të kërkuar përgjegjësi politike apo menaxheriale tek ministri Venko Filipçe dhe te zëvendës ministri i Shëndetësisë Ilir Hasani”, u shpreh kryeministri Zaev. Ai shtoi se “për gabimet eventuale të shkaktuara nga faktori njeri do të deklarohen organet kompetente”.
Ndërsa kreu i qeverisë në Shkup thekson se nuk do të lejojë politizimin e tragjedisë në spitalin e Tetovës, opozita, si ajo maqedonase edhe ajo shqiptare për disa javë kanë fajësuar qeverinë dhe sidomos kanë kërkuar përgjegjësi nga Ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe për “keqmenaxhimin dhe shkatërrimin e sistemit shëndetësor”, sipas tyre.
Tragjedia e 8 shtatorit në spitalin e Tetovës u mori jetën 14 personave, 12 prej të cilëve ishin pacientë të prekur me COVID-19 që po trajtoheshin në këtë qendër dhe dy të tjerë familjarë të tyre. Spitali u dogj brenda pak minutash, sipas dëshmitarëve dhe shërbimeve zjarrfikëse.
Maqedonia e Veriut ka ngritur 17 qendra të tilla për pacientët me koronavirus në qytetet kryesore të vendit. Por kjo gjë është shoqëruar me mjaft kritika lidhur me materialin ndërtimor prej plastike dhe polistireni me të cilat janë ndërtuar këto spitale të përkohshme. Sipas ekspertëve, materialet që nuk i rezistojnë zjarrit nuk duhet të përdoren në asnjë mënyrë për ndërtimin e spitaleve.
(Zëri i Amerikës)