Shkup, 29 maj 2021 – Kryeministri i Maqedonis së Veriut, Zoran Zaev, tha se pret që deri në qershor të zhbllokohet procesi i integrimit të vendit të tij në Bashkimin Evropian.
Zaev tha se kontesti midis Sofjes dhe Shkupit duhet të zgjidhet dhe paralajmëroi edhe një takim me kryeministrin bullgar, Stefan Janev.
“Shpresoj se në qershor Bullgaria do të na e japë mbështetjen që të bëjmë hapin e radhës drejt integrimit evropian, që të mbajmë konferencën e parë ndërqeveritare, e cila do të shënonte edhe fillimin e bisedimeve për anëtarësim. Si dy popuj vëllezër, duhet ta gjejmë zgjidhjen dhe, përfundimisht, pas 16 vjetësh e gjysmë, Maqedonia e Veriut ta bëjë jo hapin, por gjysmë-hapin e parë, të mbajmë konferencën e parë ndërqeveritare. Pra, fokusi ynë është te Bullgaria, para së gjithash te presidenti, Rumen Radev, kryeministri Stefan Janev, ministri i Punëve të Jashtme, parlamenti dhe te të gjitha institucionet dhe shpresojmë që në qershor do të na japin mbështetje të bëjmë hapin e radhës në proceset integruese të Maqedonisë së Veriut”, tha Zaev.
Ministri i Punëve të Jashtme i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, tha të shtunën se dy javët e ardhshme do të zhvillohen përpjekje intensive për arritjen e një marrëveshjeje mes dy vendeve.
Osmani e vlerësoi si bazë të mirë propozimin e Portugalisë për zgjidhjen e kontestit.
“Unë jam i mendimit se periudha e ardhshme, respektivisht qershori, paraqet shansin më të mirë për të filluar negociatat. Kanë mbetur edhe dy javë për të kapërcyer mosmarrëveshjet. Nga presidenca portugeze kemi një angazhim serioz, me propozimin konkret që ne e vlerësojmë si një bazë të mirë për tejkalimin e dallimeve. Ne besojmë se propozimi portugez adreson ndjeshmërinë e të tria palëve, palës sonë, palës bullgare dhe vendeve anëtare, të cilat presin që procesi i negociatave të mos të bllokohet me çështje dypalëshe dhe se kjo mund të jetë një bazë e mirë për tejkalimin e dallimeve”, tha Osmani.
Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, dhe Presidenti i Bullgarisë, Rumen Radev, janë takuar të enjten, në Romë, për të diskutuar lidhur me mospajtimet midis dy vendeve. Ata kanë theksuar nevojën për rivendosjen e dialogut dhe kthimin e besimit të ndërsjellë.
(r.m.)