Zbardhet vendimi i Apelit për Erion Veliajn: Lirimi i tij nga burgu përbën rrezik për hetuesit dhe dëshmitarët

Tiranë, 8 prill 2025 – Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, u la në qeli nga Gjykata e Posaçme e Apelit në seancën e 13 marsit.

Sipas vendimit të zbardhur nga Gjykata e Posaçme e Apelit, i siguruar për BalkanWeb nga gazetarja Klodiana Lala, masa e sigurisë “arrest me burg” u konfirmua mbi arsyetimin se Veliaj paraqet një rrezik real për pengimin e hetimeve.

Në vendimin e firmosur nga gjyqtari Engert Pëllumbi, që shfaqet në dokumentet e siguruara theksohet se Veliaj, duke qëndruar në funksionin e tij si kryetar bashkie, përbën rrezik dhe kërcënim për hetuesit dhe dëshmitarët, si dhe mund të dëmtojë provat.

Gjykata ka vlerësuar gjithashtu edhe sjelljen e Veliajt gjatë kohës që ndodhej në paraburgim, ku ai ka realizuar telefonata nga brenda institucionit, veprim që SPAK e ka interpretuar si tentativë për të ndërhyrë te provat.

Sipas Apelit, ekziston gjithashtu rreziku i arratisjes, i mbështetur në mundësitë financiare të Veliajt dhe lëvizjet e shpeshta të tij të dokumentuara në sistemin TIMS. Gjyqtari Pëllumbi thekson se ky rrezik është “eminent dhe në nivele të larta”.

Gjykata nuk e konsideron si faktor lehtësues as faktin që Veliaj është kryefamiljar dhe baba i një fëmije të mitur, ndërsa nënvizon rrezikun e përsëritjes së veprave penale nga ana e tij.

Në vendim citohet edhe një precedent i Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut – rasti “Podeski kundër San Marinos” – ku theksohet se sa më i fuqishëm të jetë një funksionar i hetuar, aq më e madhe është mundësia që ai të ndikojë apo të dëmtojë procesin hetimor. 

This image has an empty alt attribute; its file name is Ekstrakt-i-vendimit-te-Gjykates-se-Apelit-per-masen-e-sigurise-ndaj-Erion-Veliajt-640x400.jpg

(Balkanweb)

Comment

*