Zbatohet pa probleme marrëveshja për letërnjoftimet, qytetarët e quajnë lehtësim të madh

Prishtinë, 1 shtator 2022 – Sot, më 1 shtator, hyri në fuqi marrëveshja për lëvizjen e shtetasve të Kosovës dhe Serbisë me letërnjoftime.

Në mesnatë, Serbia e ndërpreu lëshimin e dokumentit për hyrje/dalje, me të cilin shtetasit e Kosovës identifikoheshin gjatë hyrje-daljes dhe gjatë lëvizjes në Serbi. Kështu, shmanget zbatimi i vendimit të Qeverisë së Kosovës për reciprocitet, qëe do të shotë se nuk do të lëshojë të njëjtin dokument për shtetasit e Serbisë që hyjnë dhe lëvizin në Kosovë.

Mediet e Kosovës raportojnë se në dy vendkalimet më të frekuentuara midis Kosovës e Serbisë, Jarinjë dhe Merdar, shtetasit e të dy vendeve po e kalojnë kufirin me dokumentet e tyre personale, vetëm me verifikim të letërnjoftimeve.

Liridon Shala nga Podujeva që e kaloi kufirin për në Serbi në Jarinjë ka thënë se me heqjen e dokumentit të hyrje-daljes po i duket sikur të lëvizte në Bashkimin Evropian.

“Nuk kemi pasur problem as kur kanë qenë letrat (dokumentet për hyrje/dalje), vetëm se është dashur t’i marrim ato tek autoritet serbe. Nuk kemi pasur problem kurrë, asnjë pengesë nuk e kemi pasur. Sot, normal që është më mirë, sikur të ishte Bashkimi Evropian na u duk”, ka thënë ai për REL.

Zorani, nga Leshaku, në veri të Kosovës, e ka cilësuar si të diçka të mirë për qytetarët heqjen e dokumenteve për hyrje/dalje. Ai ka thënë se pret që mes Kosovës e Serbisë të arrihet një marrëveshje gjithëpërfshirëse.

“Pres një marrëveshje paqeje. Le të lejojmë në paqe së bashku”, ka thënë ai, teksa po e kalonte kufirin, në Jarinjë.

Dragan Mirosavleviq, profesor në Universitetin e Mitrovicës, që ka hyrë në Kosovë të enjten, përmes vendkalimit kufitar në Merdar, ka thënë se gjithçka shkoi mirë gjatë kalimit të kufirit. Ai nuk ka dashur ta komentojë marrëveshjen për letërnjoftimet, me arsyetim se nuk shikon shumë lajme.

Nebojsha Lekiq nga Preoci i komunës së Prishtinës ka hyrë në Kosovë përmes pikëkalimit kufitar në Merdar, të enjten. Ai ka thënë se marrëveshja për letërnjoftimet vlen kryesisht për serbët në [jesën veriore të Kosovës sepse serbët në pjesën tjetër të Kosovës kanë dokumente të të dyja shteteve.

“Unë i kam të dy letërnjoftimet, kështu që ne nuk kemi ndonjë problem. Krejt kjo marrëveshje më duket se është kryesisht për serbët në veri. Përndryshe, mospranimi i dokumenteve vetëm sa e vështirëson komunikimin e shtetasve, pa marrë parasysh se janë shqiptarë apo serbë”, ka thënë ai për REL.

Në prag të fillimit të zbatimit të marrëveshjes, në objektet e policisë kufitare të Serbisë janë vendosur afishe, në gjuhën serbe dhe në gjuhën angleze, në të cilat thuhet se kalimi i kufirit me dokumente të identifikimit të lëshuara nga Kosova lejohet “për arsye krejtësisht praktike”, bazuar në Marrëveshjen për lirinë e lëvizjes së arritur në Bruksel, në vitin 2011.

“Kjo nuk mund të interpretohet si njohje e shpalljes së njëanshme të pavarësisë së Kosovës; nuk paragjykon përcaktimin e statusit final të Kosovës; nuk mund të interpretohet si heqje dorë e Beogradit nga të drejtat e pranuara me Rezolutën 1244 të vitit 1999 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara”, thuhet në afishe.

Ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla, ka thënë se lëvizja me letërnjoftime dhe pa ndonjë dokument shtesë ka filluar qysh në mesnatë edhe në vendkalimet tjera kufitare midis Kosovës e Serbisë:  Bërnjakë, Mutivodë, Dheu i Bardhë dhe Muçibabë. 

“Mund të konfirmoj se e njëjta gjë ka ndodhur edhe [nga pikat kufitare] në Merdare, në Dheun e Bardhë dhe në Muçibabë. Në Jarinjë, ende nuk e kemi ndonjë veturë, e cila ka kaluar, por realisht mund të konkludojmë se autoritetet e Serbisë e kanë ndërprerë lëshimin e fletëve për hyrje/dalje për shtetasit tanë”, ka thënë Sveçla.

“Ky është nje lehtësim i madh për shtetasit tanë, të cilët udhëtojnë për apo nëpër Serbi”, ka thënë ai.

Marrëveshja për heqjen e këtij dokumenti u arrit fundjavën e kaluar, me ndërmjetësimin e përfaqësuesit special të SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, dhe përfaqësuesit special të BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak.

SHBA dhe BE tani po punojnë për arritjen e marrëveshjes për targat e automjeteve. Aktualsht është na zbatim një marrëveshje e përkohshme, sipas së cilës simbolet shtetërore në targat e atomjeteve të të dy shteteve mbulohen me letra ngjitëse.

Autoritetet ndërkonbëtarë tani janë duke punuar me palët për të gjetur zgjdhje për çështjen e targave të automjeteve të serbëve të Kosovës, të cilat lëshohen në Serbi. Qeveria e Kosovës ka dhënë afat deri më 1 tetor që automjetet me këto targa të riregjistrohen me targa të Kosovës ‘RKS’ (Republika e Kosovës), gjë që po kundërshtohet ashpër nga Serbia.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se Qeveria e Kosovës po përpiqet t’i detyrojë serbët ta pranojnë pavarësinë e Kosovës, kundër vullnetit të tyre.

(r.m.)