Uashington, 10 mars 2022 – Rusia nënvlerësoi rezistencën që do të haste në Ukrainë, u thanë ligjvënësve amerikanë drejtuesit e shërbimeve të zbulimit gjatë një seance dëgjimore në Komisionin e Zbulimit të Dhomës së Përfaqësuesve. Megjithëse nuk është e qartë nëse presidenti rus synon të marrë të gjithë Ukrainën, apo nëse do të ndalej me diçka më pak, zyrtarët paralajmëruan se zoti Putin mund ta përshkallëzojë më tej situatën pavarësisht kostos së lartë që kjo mund të ketë me viktima në radhët e popullsisë civile.
Shtetet e Bashkuara besojnë se Rusia nënvlerësoi forcën e rezistencës ukrainase përpara se të fillonte sulmin që duket se ka shkaktuar mijëra viktima në radhët e forcave ruse, u thanë ligjvënësve amerikanë zyrtarët e lartë të zbulimit.
Dëshmitë e dhëna gjatë një seance dëgjimore të Komisionit të Zbulimit të Dhomës së Përfaqësuesve, janë deklaratat e para publike nga zyrtarët më të lartë të zbulimit që kur filloi lufta dy javë më parë.
Ata ofruan pikëpamjet e tyre rreth planeve të Presidentit rus Vladimir Putin, ndërsa forcat ruse vazhdojnë të avancojnë përmes Ukrainës.
Zyrtarët e bënë të qartë vlerësimin e tyre se sulmi i Rusisë është ngadalësuar nga një rezistencë e papritur nga forcat mbrojtëse ukrainase dhe se nuk është e qartë nëse zoti Putin synon të marrë të gjithë Ukrainën, apo nëse do të ndalej me diçka më pak.
“Vlerësojmë se Putini ndjehet i zemëruar që Perëndimi nuk i jep respektin e duhur dhe e percepton këtë si një luftë që nuk duhet ta humbasë kurrsesi. Por, ajo çfarë ai mund ta pranojë si një fitore, mund të ndryshojë me kalimin e kohës, për shkak të kostove të mëdha që po pëson”, tha Avril Haines, Drejtore e Zbulimit Kombëtar.
Shtetet e Bashkuara mendojnë se zoti Putin kishte besuar se kryeqyteti ukrainas, Kievi, do të merrej brenda dy ditësh, tha Drejtori i CIA-s, William Burns, i cili beson se presidenti rus ka rezultuar i gabuar në çdo përllogaritje dhe se kjo mbart me vete rreziqet e saj për shkak të irritimit të mëtejshëm të udhëheqësit rus.
“Mendoj se në këto momente Putini është i zemëruar dhe i irrituar. Ekziston mundësia që të dyfishojë përpjekjet kundër ushtrisë ukrainase duke shpërfillur rrezikun për viktima në radhët e civilëve”, tha ai.
Analistët e CIA-s megjithatë nuk shohin hapësira që zoti Putin ta realizojë objektivin e zëvendësimit të qeverisë së Presidentit Zelenski me një qeverisje pro-ruse.
“Nuk shoh se si do të jetë në gjendje të realizojë këtë objektiv, pasi gjatë javëve të shëmtuara në vazhdim ai do ta rëndojë situatën, ndërkohë që nuk do të shqetësohet për viktimat në radhët e civilëve”, tha zoti Burns.
Megjithë njoftimin e zotit Putin se do të rriste nivelin e gatishmërisë së Rusisë për armët bërthamore, zonja Haines tha se Shtetet e Bashkuara nuk vërejnë ndryshime të pazakonta në gatishmërinë e forcave bërthamore.
“Nuk kemi parë një njoftim publik nga rusët për rritjen e gjendjes së gatishmërisë bërthamore që nga vitet 1960. Por, gjithashtu nuk kemi pikasur ndonjë ndryshim në forcat e tyre bërthamore që të shkojë përtej asaj që shihnim në momentet e tensionuara të dekadave të fundit”, tha zonja Haines.
Për sa i përket reagimit të Kinës, drejtori i CIA-s tha se udhëheqësit kinezë duken disi të trazuar nga sulmi i Rusisë ndaj Ukrainës, megjithëse nuk e kanë dënuar Rusinë.
“Nuk i prisnin vështirësitë e konsiderueshme me të cilat po përballen rusët. Mendoj se u trazuan së pari nga dëmtimi i imazhit të tyre për shkak të afërsisë me Presidentin Putin, si dhe së dyti nga pasojat ekonomike në një moment kur përballen me nivelin më të ulët të rritjes që kanë patur për mbi tre dekada”, tha zoti Burns.
Disa nga drejtuesit e agjensive të zbulimit u zotuan se do të bëhet ç’është e mundur nga agjensitë e tyre për të mbështetur rezistencën ukrainase. Pjesa më e madhe e punës së komunitetit amerikan të zbulimit në Ukrainë do të bëhet ndoshta në rrethana sekrete. Megjithatë, drejtori i FBI-së Chris Wray tha se bazuar në kërkesën e Ukrainës, FBI-ja ka bashkëpunuar me kompanitë e mediave sociale për të mbyllur llogaritë e lidhura me Rusinë, të cilat po përhapnin dizinformim në Ukrainë.
(Zëri i Amerikës)