Tiranë, 18 maj 2022 – Zbulohet dokumenti origjinal i notës diplomatike që SHBA vendoste marrëdhëniet me Shqipërinë. Gazetari dhe moderatori i emisionit “Dekalog” në RTSH 24 Roland Qafoku ka bërë publike mbrëmë ekskluzivisht gjatë këtij emisioni dokumentin zyrtar të vendosjes së këtyre marrëdhënieve. Mban datën 28 korrik 1922, është firmosur nga komisioneri amerikan i rangut ministër Fuqiplotë dhe i Dërguar i Jashtëzakonshëm Maxwell Blake, i cili ia dorëzoi atë ditë kryeministrit të 10-të të shtetit shqiptar Xhaferr Ypi që mbante në të njëjtën kohë edhe detyrën e ministrit të Jashtëm.
Blake kishte marrë pak ditë përpara kësaj date urdhrin nga sekretari i Shtetit Charles Evans Hughes që ti dorëzonte notën diplomatike kryeministrit Ypi dhe e zbatoi ditën e caktuar. Mes të tjerave në notë Maxwell Blake shkruan:
“Kam nderin që në përputhje me udhëzimet e Sekretarit të Shtetit të qeverisë së Shteteve të Bashkuara në Washington, të njoftoj Shkëlqesinë tuaj se qeveria e Shteteve të Bashkuara, duke marrë parasysh mbarëvajtjen e suksesshme të një qeverie kombëtare shqiptare, që sot më 28 korrik 1922, t’ju shpreh njohjen formale të qeverisë në të cilën Shkëlqesia juaj kryeson. Në pritje të veprimeve legjislative nga kongresi i Shteteve të Bashkuara për krijimin e një përfaqësie të rregullt diplomatike, qeveria ime më udhëzon të vazhdoj të veproj si komisioner i Shteteve të Bashkuara në Shqipëri me gradën Ministër Fuqiplotë dhe i dërguar i jashtëzakonshëm”.
Është pikërisht ky dokument që vërteton dhe konfirmon se data e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërisë dhe SHBA është 28 korriku i vitit 1922. Sipas studimeve që ka bërë gazetari dhe studiuesi Qafoku, rezulton se SHBA u bë shteti i 22-të në botë që njohu Shqipërinë pas Konferencës së Paqes në Paris në vitin 1919. Sipas tij, shteti i parë që njohu Shqipërinë pas kësaj konference ishte Britania e Madhe.
(Balkanweb)
Urime Z. Roland Qafoku
Zbulimi i juej ashte nji lam qe na gezon e na frymezon., Kudo qe ka mndesi, fjale dhe akte te kryeme per Shqipwrine ose nga miqte e Shqiperise na nderon e duhen zbulue. Ky sherbim i jueji ven emnin tuej ne regjistrin e nderit te historianeve shqiptare. Gezua⁄r!